Punëtorët e Lotarisë, përsëri protestë të hënën para Qeverisë

Punëtorët e Lotarisë, përsëri protestë të hënën para Qeverisë

Aktuale June 18, 2021 - 12:13

Punëtorët e Lotarisë së Kosovës do të protestojnë përsëri para Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar që të miratohet projektligji për lotarinë.

Protesta do të mbahet të hënën, më 21 qershor, duke filluar nga ora 11:00, para ndërtesës së Qeverisë, raporton Zeri.info.

“Qeveria e Republikës së Kosovës i ka premtuar Sindikatës së Punëtorëve të Lotarisë së Kosovës se do të gjejë një zgjidhje për punëtorët tanë, mirëpo një premtim i tillë ende nuk është përmbushur. Punëtorët tanë momentalisht gjenden në një situatë të mjerueshme, përderisa u bë një vit që s’kanë pranuar pagë, e sidomos në përballjen me luftimin e pandemisë COVID-19, që edhe më tepër e ka rënduar gjendjen e tyre. Sindikata e Lotarisë së Kosovës fton të gjitha mediat të jenë të pranishme, gjithashtu i bën thirrje publike Qeverisë së Kosovës që të përmbushë premtimin dhe obligimin që e ka ndaj punëtorëve të Lotarisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sindikata e punëtorëve ka bërë të ditur se në qoftë se kërkesa e tyre nuk përmbushet, do të vazhdojnë me protesta edhe gjatë ditëve në vazhdim.

Një protestë të tillë punëtorët e Lotarisë e kanë bërë edhe para dy ditësh. /Zëri