MSH-ja: Kontratat e infermierëve nuk u ndërprenë, përfunduan sipas kohëzgjatjes që kanë pasur

MSH-ja: Kontratat e infermierëve nuk u ndërprenë, përfunduan sipas kohëzgjatjes që kanë pasur

Aktuale June 18, 2021 - 11:58

Rreth 360 infermierë që ishin punësuar gjatë pandemisë kanë protestuar sot para Klinikës Infektive, për shkak se u janë shkëputur kontratat nga Ministria e Shëndetësisë me arsyetimin se nuk ka buxhet të mjaftueshëm.

Nga ana e saj, MSH-ja e ka mohuar një gjë të tillë, duke thënë se nuk e ka bërë ndërprerjen e kontratave, por se të njëjtat kanë përfunduar sipas kohëzgjatjes që e kanë pasur.

“MSH-ja informon se kontratat e nënshkruara për stafin mjekësor (mjekë, infermierë, teknikë të laboratorit, inspektorë dhe personel mbështetës teknik), të angazhuar gjatë pandemisë COVID-19, kanë përfunduar shumica, disa përfundojnë më datën 21 qershor 2021 dhe se të njëjtat nuk mund të zgjaten, për shkak se në Projektin e Shëndetësisë Kosovare nuk është alokuar buxhet për këtë qëllim”, thuhet në sqarimin e MSH-së.

MSH-ja ka theksuar se aludimet e tilla të infermierëve se ka ndërprerje të kontratave nuk janë korrekte dhe të vërteta.

Infermierët ishin financuar përmes një kredie të Bankës Botërore, si pjesë e projektit emergjent për menaxhimin e pandemisë në Kosovë.

Kontratat e tyre kanë qenë për gjashtë muaj. /Zëri