Ambasadorët shqiptarë kanë një porosi për Lajçakun rreth dialogut Kosovë - Serbi

Ambasadorët shqiptarë kanë një porosi për Lajçakun rreth dialogut Kosovë - Serbi

Aktuale June 18, 2021 - 11:52

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka mirëpritur rinisjen e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve të tyre ndërshtetërore.

Këto bisedime të lehtësuara nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të përfundojnë me njohjen e ndërsjellë, si rruga e vetme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë - Serbi.

“Kjo jo vetëm që do të ishte në interesin më të mirë të të dyja vendeve, por do ishte një hap i madh drejt forcimit të paqes, stabilitetit dhe perspektivës euroatlantike të rajonit tonë.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë beson fuqimisht se stabiliteti dhe prosperiteti i rajonit tonë është pandashmërisht i lidhur me garantimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të secilit shtet, respektimin e parimeve të demokracisë dhe të drejtave të njeriut, si dhe mbrojtjen dhe avancimin e pozitës së pakicave etnike.

Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë duhet të arrihet brenda këtyre parimeve, të sanksionuara edhe në paketën Ahtisaari dhe vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë e konsideron të domosdoshme të theksojë se perspektiva euroatlantike është forca kryesore shtytëse drejt një stabiliteti dhe prosperiteti të qëndrueshëm të Ballkanit.

“Në këtë sfond, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë thekson rëndësinë e liberalizimit sa më parë të vizave për Kosovën nga ana e Bashkimit Evropian, tashmë kur të gjitha kushtet janë përmbushur prej kohësh.

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë inkurajon përfaqësuesit e Republikës së Kosovës dhe të gjitha forcat politike në Kosovë që të angazhohen me vetëbesim dhe profesionalizëm në bisedimet me Republikën e Serbisë, të mbështetura nga BE-ja dhe SHBA-ja”.

“KASH-i gjithashtu inkurajon ndërmjetësin e BE-së Lajçakun që në këtë proces të vijojë të udhëhiqet nga parimet mbi të cilat është ndërtuar dialogu duke ushtruar vetëpërmbajtje prej qëndrimeve emocionale të padobishme”, thuhet në komunikatën e këtij këshilli, njofton Klankosova.tv.

E ardhmja e Republikës së Kosovës është nën ombrellën e BE-së dhe NATO-s dhe vlerat euroatlantike janë të mishëruara thellë në themelin shtetit të Kosovës.