Sezoni turistik në Shqipëri, ndërmerren masa shtesë për sigurinë ushqimore

Sezoni turistik në Shqipëri, ndërmerren masa shtesë për sigurinë ushqimore

Aktuale June 18, 2021 - 10:42

Drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU), Bledar Skënderi, në një intervistë për ATSH-në shprehu angazhimin maksimal të institucionit që ai drejton në garantimin e sigurisë ushqimore për konsumatorët, veçanërisht tani gjatë sezonit turistik, kur ka një fluks të shtuar të turistëve dhe vizitorëve.

Skënderi tha se “hartimi i planit të veprimit dhe masat shtesë të AKU-së lidhur me mbarëvajtjen e sigurisë ushqimore gjatë sezonit turistik, në zbatim të urdhrit të kryeministrit, kanë konsistuar në intensifikimin e kontrolleve në tregjet ushqimore, restorantet dhe fast-food, për t’i paraprirë rritjes së sigurisë ushqimore me nisjen e sezonit turistik.

Gjithashtu në vëmendje të kontrolleve janë edhe kushtet e përgjithshme dhe specifike të higjienës në ambientet e prodhimit, përpunimit  dhe tregtimit, kushtet tekniko-teknologjike të prodhimit, standardet e prodhimit, lëndët e para, aditivët, ambalazhimi, si dhe dokumentacioni shoqërues (fletë-analizat e lëndëve të para dhe produktit përfundimtar)", u shpreh Skënderi.

Ai shtoi se në fokus mbetet marrja e mostrave për analiza dhe dërgimi i tyre në laboratorët e AKU-së dhe ISUV, për vlerësimin e sigurisë ushqimore të këtyre produkteve.

Skënderi tha se restorantet dhe shërbimet fast-food duhet të specifikojnë llojin e vajit që përdorin për skuqje: vaj vegjetal luledielli, palme, misri ose përzierje vajrash vegjetalë.

Ai bëri të ditur se gjatë periudhës aktuale e në vijim, AKU po kryhen monitorime  për situatën e COVID 19 në subjekte te ndryshme, kryesisht njësi tregtimi, markete ushqimore, furra buke, si dhe tregje fruta perime.

“Objekt i këtyre kontrolleve ka qenë zbatimi i protokolleve të përcaktuara nga MSH, në lidhje me aktivitetet në fushën e ushqimit referuar edhe Aktit Normativ “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”. Ndërsa gjatë inspektimeve, për mangësitë e konstatuara nga trupat inspektuese për OBU-të të cilat nuk plotësonin kushtet dhe kërkesat e legjislacionit në fushën e sigurisë ushqimore, janë marrë masat administrative përkatëse”- deklaroi për ATSH-në, Skënderi. /ATSH