Haxhiu në Ditën e Çlirimit të Skenderajt kujton ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë

Haxhiu në Ditën e Çlirimit të Skenderajt kujton ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë

Aktuale June 18, 2021 - 10:40

Skenderaj është komuna që shënon 18 qershorin si Ditën e Çlirimit.

Me këtë rast deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu, ka thënë se në këtë ditë kujtohen dëshmorët e martirët e të gjithë ata që kanë rënë në luftën kundër Serbisë.

“Urime 22-vjetori i çlirimit të Skenderajt! Kjo ditë shënon fundin e luftës heroike të UÇK-së kundër forcave serbe. Lufta e pashembullt heroike e komandantit legjendar Adem Jashari dhe gjithë trimave që luftuan ndër breza kulmoi me fitoren e lirisë dhe shporrjen një herë e përgjithmonë të Serbisë nga Kosova”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Haxhiu ka theksuar se në këtë ditë ndihet edhe më shumë mungesa e ish-krerëve të UÇK-së që po mbahen padrejtësisht në Hagë.

“Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe bashkëluftëtarët që janë sot në Hagë ishin kontribuues të devotshëm për lirinë e Kosovës. Në këtë ditë u shprehi mirënjohje të veçantë të gjithë atyre trimave të Drenicës dhe atyre që erdhën në Drenicë për të luftuar edhe nga zonat tjera e që janë të shumtë duke qëndruar stoikë në istikame. Shumë nga ta u vranë, disa u plagosën e disa jetojnë me lavdinë që do t’i përcjellë gjithë jetën e tyre. Gëzuar Ditën e Çlirimit Drenicë, vendi im, nga më i fundit që pe dritën e lirisë!”, ka shkruar Haxhiu. /Zëri