Protestojnë infermierët të cilëve nuk iu vazhduan kontratat

Protestojnë infermierët të cilëve nuk iu vazhduan kontratat

Aktuale June 18, 2021 - 09:53

Rreth 360 infermierë që ishin punësuar për nevoja të pandemisë kanë protestuar para Klinikës Infektive.

Atyre nuk do t’u vazhdohet kontrata nga Ministria e Shëndetësisë.

Ministria vitin e kaluar kishte punësuar rreth 360 infermierë për stafin mjekësor të spitaleve dhe klinikave COVID.

Infermierja Arlinda Hadri tha se nuk ka qenë i drejtë mosvazhdimi i kontratave, pasi sipas saj kanë qenë pranë pacientëve në ditët më të vështira.

“Nuk kemi marrë shtesa asnjëherë, duke pasur parasysh se kjo ishte një situatë e vështirë dhe kurrë nuk u kemi bërë presion, ne nuk kërkojmë asgjë përveç vazhdimit të kontratave ashtu siç patën nevojë për neve.

Na erdh një e-mail që nuk ka fonde për me ju vazhduar kontrata. 422 infermierë të rijnë janë punësuar e si ka mundësi që për ata pat fonde e për neve jo, qysh munden me na siguruar që kanë me na punësuar. Nuk mu ka dok mënyra e drejtë e lajmërimit”, tha ajo.

Tutje, ajo tha se me këto paga kanë ushqyer familjarët e tyre, duke shtuar se protestat do të vazhdojnë deri në realizimin e kërkesave.

Fitim Havolli, nga Sindikata e Infermierëve, tha se ka dalë në përkrahje të këtyre infermierëve, pasi sipas tij është e padrejtë ajo që po u bëhet këtyre punëtorëve shëndetësorë, raporton EO-ja.

“Këta kanë qenë një ndihmë e madhe për të gjithë klinikat, sidomos me gjendjen pandemike, këta në moshë shumë të re qëndruan afër dhe na ndihmuan”, tha Havolli.

Në këtë protestë u.d. i drejtorit të Klinikës Infektive Arben Vishaj shkurtimisht u tha infermierëve që të mos bien pre e interesave personale, por që të mbrojnë drejtat e tyre, pasi sipas tij puna e tyre ka qenë e shenjtë dhe shumë me vlerë.

Infermierët ishin financuar përmes një kredie të Bankës Botërore, si pjesë e projektit emergjent për menaxhimin e pandemisë në Kosovë.

Infermierët ishin punësuar me kontrata për gjashtë muaj.