Reagojnë infermierët që u punësuan gjatë pandemisë, u shkëputet kontrata me arsyetimin se nuk ka buxhet

Reagojnë infermierët që u punësuan gjatë pandemisë, u shkëputet kontrata me arsyetimin se nuk ka buxhet

Aktuale June 18, 2021 - 09:23

Ministria e Shëndetësisë ka vendosur që t’ia shkëpusë kontratën stafit mbështetës, të cilët janë punësuar si infermierë gjatë pandemisë COVID-19, staf ky që mbështetet financiarisht nga Banka Botërore.

Kështu po thotë infermieri Enlirat Duraku.

Sipas tij, ky largim i infermierëve nga puna është bërë me arsyetimin se nuk ka buxhet, përcjell Zeri.info.

“‘Fshesa’ vazhdon… Infermierët largohen nga puna. Mirëpo kësaj radhe nuk u larguan nga puna ata që e kanë dëmtuar dhe vjedhur shtetin, por pikërisht ata që kontribuuan dhe sakrifikuan për shtetin. Janë infermierët e pranuar nga MSH-ja përmes Bankës Botërore ata që u janë ndërprerë nga MSH-ja me arsyetimin banal kinse nuk ka buxhet! Ashtu siç ka buxhet për kafe dhe pije për deputetët, ashtu siç ka buxhet për pagesë të faturave të energjisë elektrike për komunitetet pakicë me taksat e po këtyre infermierëve, pasi janë edhe qytetarë të Kosovës dhe pa dyshim që paga e tyre është tatimuar gjatë kohës së pandemisë, sigurisht që ka buxhet edhe për ata që rrezikuan jetën e tyre dhe të familjeve të tyre për t’i shërbyer qytetarit dhe shtetit. Në vend të falënderimit për kontribut, punë, angazhim dhe sakrificë, ata u ‘shpërblyen’ me ndërprerje të kontratës së punës!”, ka thënë ai.

Duraku përmes një postimi në Facebook ka kërkuar nga sindikatat dhe shoqatat përkatëse që të reagojnë ashpër ndaj këtij vendimi të MSH-së.

“Po ashtu kolegët infermierë, të cilëve u është ndërprerë kontrata e punës, i inkurajoj që të ankohen në këto sindikata dhe shoqata të infermierëve dhe të shprehin revoltën e tyre përmes protestave deri në anulim të këtij vendimi të pamatur dhe skandaloz. Heshtja nuk është flori! Nëse hesht ndaj padrejtësisë dhe diskriminimit, dije se keni vdekur edhe pse jeni gjallë”, ka thënë Duraku.

Në anën tjetër, infermieri Leonis Deva ka bërë të ditur se i janë drejtuar MSH-së me mesazhe, por nuk u është përgjigjur.

“Sot pas një kujdestarie të lodhshme zgjohem me një lajm të hidhur. Nga ‘stafi mbështetës infermier në luftën anti-COVID-19’, sot grupi i stafit mbështetës me fond nga Banka Botërore paska marrë mesazh për ndërprerjen e kontratave të tyre të punës. Pas një muaji ky fat më pret edhe mua, sepse edhe unë jam punësuar si staf mbështetës. Mesazheve tona Ministria e Shëndetësisë nuk u përgjigjet dhe për këtë kemi edhe dëshmi me e-maile. Këta kolegë së bashku me neve u infektuan dhe humbën familjarë dhe në fund po shpërblehemi me një e-mail ku vetëm dy fjalë dhe një arsye thotë ‘s’ka fond dhe s’ka kontrata’”, është shprehur Deva.

Deva i ka bërë thirrje ministrit të Shëndetësisë Arben Vitisë që ta rishikojë këtë vendim.

“I bëjmë thirrje ministrit të Shëndetësisë Arben Vitisë të rishikojë këto vendime, që askujt në këtë vend nuk iu duk e arsyeshme. P.S., z. Vitia, shikoje moshën mesatare të punëtorëve shëndetësorë dhe pastaj merr këso lloj vendimesh. Ne do të ikim nga ky vend s’është punë e madhe, por ju do të mbaheni mend si ministri që i dëboi nga puna rreth 500 infermierë të kualifikuar, pasi të ndihmuan ta menaxhosh pandeminë COVID-19”, ka shkruar Deva në Facebook.

“Zëri” ka tentuar të kontaktojë edhe me MSH-në, por nuk ka kthyer përgjigje deri në publikimin e artikullit. /Zëri