Osmani në SEECP kërkon njohjen e Kosovës nga shtetet pjesëmarrëse mosnjohëse

Osmani në SEECP kërkon njohjen e Kosovës nga shtetet pjesëmarrëse mosnjohëse

Aktuale June 17, 2021 - 18:32

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë pjesë sot në samitin vjetor të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP).

Në fjalimin e saj para përfaqësuesve të vendeve anëtare të këtij forumi, Osmani foli mbi sfidat e rajonit, procesin e integrimit në BE, si dhe mbi mundësitë e bashkëpunimit rajonal. Në mënyrë të veçantë ajo foli për rolin që Kosova po luan në krijimin dhe ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon.

Duke e falënderuar organizatorin e sivjetmë, Turqinë, për organizimin e samitit, Osmani u shpreh e lumtur që vitin e shkuar, si vend nikoqir, Kosova ia doli ta organizonte samitin e SEECP-së, me gjithë sfidat e jashtëzakonshme me të cilat u ballafaqua vendi ynë për shkak të pandemisë COVID-19.

Duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit rajonal, ajo theksoi se bashkëpunimi është i domosdoshëm, por duhet të zhvillohet duke respektuar njëri-tjetrin.

“Bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm, por edhe i mundur nëse mbështetet në njohjen dhe respektimin e tjetrit”, është shprehur Osmani.

Sipas saj, rajoni ka bërë përpjekje të mëdha, dhjetëravjeçare, për ta ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë në rajon.

“Ne duhet t’i vazhdojmë këto përpjekje. Ne kemi sfida të ngjashme, por mund të ndikojmë në krijimin e një ambienti më të sigurt dhe në rritjen e sigurisë dhe të stabilitetit në rajon”, ka thënë ajo.

Ajo u bëri edhe një herë thirrjeve vendeve të cilat nuk e kanë njohur ende pavarësinë e Kosovës që ta njohin sa më parë atë, ngase “ai është realitet i pakthyeshëm”, si dhe ta respektojnë në plotni sovranitetin e saj dhe integritetin territorial të vendit tonë.

“Republika e Kosovës ka krijuar besim të qartë se integrimi euroatlantik është synim i qytetarëve të saj, por ne duam të sigurohemi që ky proces do të përshpejtohet, për ta garantuar paqen dhe stabilitetin në rajon, por edhe për ta rritur mirëqenien e qytetarëve të rajonit. E ardhmja jonë është në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Integrimi euroatlantik nuk përbën vetëm një alternativë për ne, ai parqet rrugën e vetme përpara”, ka thënë ajo.

“Por, përkushtimi ynë ndaj integrimeve duhet të njihet nga Bashkimi Evropian. Siç po lëvizim ne me shpejtësi drejt integrimit të vendit tonë, duke i përmbushur të gjitha kërkesat e parashtruara ndaj nesh, edhe Bashkimi Evropian duhet ta vlerësojë angazhimin e qytetarëve të Kosovës dhe ta mbajë premtimin për liberalizim të vizave për qytetarët e vendit tonë, por edhe për integrim më të shpejtë të të gjitha vendeve të rajonit në BE”, është shprehur Osmani. /Zëri