PDK-ja llogarit në deputetët “anti-Vjosë” të LDK-së për ta dërguar Osmanin në kushtetuese
Foto: Laura Hasani

PDK-ja llogarit në deputetët “anti-Vjosë” të LDK-së për ta dërguar Osmanin në kushtetuese

Aktuale June 17, 2021 - 18:12

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë sot se partia e tij i ka mbledhur nënshkrimet e nevojshme për ta çuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e presidentes Vjosa Osmani për shkarkimin e kryetares së KQZ-së, Valdete Dakës.

Hoxhaj ka falënderuar deputetët e opozitës, që sipas tij, i kanë dhënë nënshkrimet e nevojshme për të ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

“Për të mbrojtur rendin kushtetues, institucionet demokratike e profesionale, si dhe të parandalojmë secilin akt të tillë në të ardhmen, Partia Demokratike e sheh të domosdoshëm dhe të pashmangshëm opinionin e Gjykatës Kushtetuese, për çka i kemi mbledhur edhe nënshkrimet. Faleminderit të gjithë deputetëve të opozitës për bashkëpunimin në këtë çështje”, ka shkuar Hoxhaj në rrjetet sociale.

Por, në anën tjetër nuk dihet nëse PDK-ja i ka 30 nënshkrimet e nevojshme të deputetëve për këtë çështje, shkruan Zeri.info.

Zëdhënësi i AAK-së, Lulzim Blaka, e ka konfirmuar për “Zërin” se deputetët e AAK-së, i kanë dhënë nënshkrimet e tyre.

“Po mund të konfirmoj se AAK-ja i ka dhënë nënshkrimet”, ka thënë Blaka për Zeri.info.

Në ndërkohë nga LDK-ja kanë konfirmuar se akoma nuk i kanë dhënë nënshkrimet e tyre.

Në një deklaratë për media, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi tha se nuk është në dijeni se PDK-ja ka nënshkrimet e nevojshme ashtu siç kanë deklaruar, ndërsa ka konfirmuar se partia e tij akoma nuk i ka dhënë ato.

“Jo, nuk i kemi dhënë ende. Po e presim Avokatin e Popullit”, ka deklaruar Gashi për media.

PDK-ja, bashkë me deputetët e AAK-së, i kanë 27 nënshkrime.

Jozyrtarisht, “Zëri” ka mësuar se PDK-ja ende nuk i ka 30 nënshkrime në letër, por ka marrë zotimin e LDK-së se do t’ua japin. PDK-ja llogarit në deputetët e LDK-së që nuk e kanë votuar Osmanin për presidente, siç janë Agim Veliu, Avdullah Hoti, Driton Selmanaj e Valentina Bunjaku-Rexhepi.

Po ashtu, siç mëson “Zëri”, nënshkrim PDK-ja pret edhe nga deputeti i AKR-së, Behgjet Pacolli.

Kujtojmë se përveç partive politike të opozitës, vendimin e Osmanit për shkarkimin e Dakës e kanë kritikuar edhe shoqëria civile. /Zëri