Rumania “mbetet parimore”, nuk e njeh Kosovën

Rumania “mbetet parimore”, nuk e njeh Kosovën

Aktuale June 17, 2021 - 17:14

Ambasadorja e Rumanisë në Serbi, Silvia Davidoiu, ka përsëritur sot se vendi i saj “mbetet parimor” në qëndrimin për sa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës, duke potencuar se për Rumaninë është e pranueshme vetëm ajo zgjidhje që është e pranueshme edhe për Serbinë.

Në takimin që ajo pati me kryetarin e Komitetit për Kosovën në Kuvendin e Serbinë. Milovan Drecun, ambasadorja deklaroi se Rumania mbështet fuqishëm Serbinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit të plotë në BE, ka njoftuar Kuvendi i Serbisë përmes një komunikate, raporton Zeri.info.

Drecun nga ana e tij falënderoi Rumaninë për këto fjalë.

Ai, sipas njoftimit, e njoftoi “në detaje” ambasadoren rumune për situatën në Kosovë.

Foli për çështjen e personave të zhdukur, për pronën e për dialogun si dhe tha se Serbia nuk do të heqë dorë nga kërkesa për zgjidhjen e këtyre çështjeve dhe çështjeve tjera në interes të popullit serb.

“Jemi të gatshëm të kërkojmë zgjidhje kompromisi, do ta arrijmë atë ekskluzivisht me mjete politike dhe dialog. Ajo që është e sigurt është se Serbia kurrë nuk do ta njohë shtetin e rremë të Kosovës”, citohet të ketë thënë Drecuni.

Ndërkaq, ai shprehu një shqetësim të veçantë, e që kishte të bënte me formimin e Ushtrisë së Kosovës.

“Sipas Rezolutës 1244 asnjë formacion ushtarak, përpos KFOR-it, nuk do të guxonte të ishte në Kosovë e Metohi, ndërsa ata megjithatë po i forcojnë njësitet speciale, formojnë bazë të re në Gjakovë dhe bëjnë presion ndaj serbëve që të hyjnë në forcën e sigurisë”, deklaroi ai.

Sipas fjalëve të tij, Ushtria e Kosovës deri më 2029 do të duhej të ishte plotësisht operative, ndërsa shërbimi ushtarak do të bëhet i obligueshëm për meshkujt e moshave 18-34 vjeç.

Ambasadorja rumune nga ana e saj shprehu interes për intensifikimin e bashkëpunimit me Komitetin për Kosovën sepse, siç theksoi ajo, “Rumania i kushton vëmendje të veçantë çështjes së Kosovës”. /Zëri