Haxhiu: Ka kaluar koha e kalimit të provimit të Jurisprudencës pa meritë

Haxhiu: Ka kaluar koha e kalimit të provimit të Jurisprudencës pa meritë

Aktuale June 17, 2021 - 16:43

Kuvendi i Kosovës, sot ka votuar anëtarët e Komisionit për Provimin e Jurisprudencës.

Pas kësaj, ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu ka falënderuar Kuvendin për mbështetjen që i dha anëtarëve të këtij komisioni.

Si Ministre e Drejtësisë, ajo tha se do të përkushtohet që organizimi i provimit të Jurisprudencës të bazohet në parimet e integritetit, profesionalizmit e meritokracisë.

“Kontributin më të madh në këtë drejtim do ta japin anëtarët e Komisionit. Ka kaluar koha e ndikimit në punën e anëtarëve të Komisionit dhe koha kur dikush mendon ta kalojë provimin pa meritë”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka siguruar se ky proces do të jetë transparent.

“Me mendësi të vjetra vetëm dëme i bëjmë vendit, prandaj për t'u siguruar që gjithçka do të shkoj siç duhet ky proces do të jetë transparent dhe do të mbikëqyret nga kushëdo që shpreh interes”, shkruan ajo.

Kujtojmë se sot para votimit në Kuvend, organizata joqeveritare, Instituti i Kosovës për Drejtësi, i ka dërguar letër kryeministrit Albin Kurti, që ta anulonte nomimin e Albert Zogaj për kryetar të Komisionit për Provimin e Jurisprudencës, duke thënë se emërimi i tij përbën konflikt interesi, pasi i njejti ushtron tetë pozita tjera në sistemin gjyqësor. /Zëri