Zgjedhjet në PD, Gjana: Procesi ka vijuar normalisht

Zgjedhjet në PD, Gjana: Procesi ka vijuar normalisht

Aktuale June 13, 2021 - 13:55

Kryetari i komisionit të zgjedhjeve në PD, Jemin Gjana, ka bërë të ditur se 17.2 përqind e anëtarëve të PD-së kanë marrë pjesë në zgjedhjet që po bëhen për kryetarin e partisë.

Ai tregoi rezultatin paraprak të pjesëmarrjes deri në orën 10:30.

Gjana tha se nuk ka pasur probleme gjatë procesit të votimit. Edhe në ato raste ku ka pasur ndonjë ndërprerje sipas tij, ai u shpreh se janë marrë vendimet përkatëse që të vijojë procesi.

“Me të dhënat e orës 10:30 pjesëmarrja është 12 928 anëtarë që kanë votuar. Çfarë do të thotë një shifër që shkon tek 17.2%. Janë të dhënat e para një ore. Procesi përgjithësisht ka ecur normalisht. Nuk ka pasur vonesa. Në dy te raste që ka pasur ndonjë ndërprerje për efekt qartësimi të situatave të votimit për anëtarë me kartë janë marrë vendimet përkatëse në komision dhe procesi ka vijuar”.

“Mbrëmë deri në 00:30 ka vazhduar procesi i marrjes së propozimeve nga kandidatët për deputetë dhe përfaqësuesit. Kanë mundur t’i plotësojë disa ditë më parë zoti Basha. Dje pasdite kandidati Kadilli ka përmbyllur të gjithë komisionet me përfaqësuesit e tyre. Me kandidaten Harxhi deri në orën 12 mbrëmë kemi mbyllur të gjitha emrat e përfaqësuesve të saj në komisione. Ajo ka lënë disa vende bosh, nuk ka përfaqësi në 10 apo 12 komisione për të cilat ka pasur dakordësinë që s’ka përfaqësim. Kemi patur probleme në 7-8 raste të përfaqësuesve të kandidatit Shehaj, Për arsye se erdhën disa propozime që u rrëzuan nga Komisioni. Arsyeja ka qenë e qartë, ose kanë pasur kartë anëtarësie dhe nuk kanë qenë në listën e anëtarëve, ose janë deleguar nga një degë në një degë tjetër. Nuk është pranuar që vëzhguesi i Shehajt në Kavajë të jetë anëtar partie i Rrogozhinës. Jo se nuk ka përfaqësim, por ka kritere saktësisht të përcaktuara, për të cilat komisioni ka marrë vendimet përkatëse”, ka thënë Gjana./tvklan.al/