Infektuar: 107497
Shëruar: 104054
Vdekur: 2245
Reagon Qeveria për mbajtjen e liturgjisë te kisha në oborrin e UP-së

Reagon Qeveria për mbajtjen e liturgjisë te kisha në oborrin e UP-së

Aktuale June 10, 2021 - 21:35

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, ka reaguar për mbajtjen e liturgjisë nga kisha ortodokse serbe në kishën e ndërtuar në oborrin e Universitetit të Prishtinës.

Ai deklaron se Qeveria e vendit nuk do të lejojë më aktivitete të tilla dhe se Policia e Kosovës nuk ka qenë e njoftuar paraprakisht për mbajtjen e këtij aktiviteti, raporton Zeri.info.

“Gjatë ditës së sotme jemi njoftuar për një aktivitet të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë të zhvilluar në strukturën e papërfunduar, e cila ishte ndërtuar në pronën e Universitetit të Prishtinës në kohën e regjimit represiv serb mbi Kosovën. Policia e Kosovës nuk ka qenë e njoftuar paraprakisht për mbajtjen e këtij aktiviteti dhe kjo përbën shkelje të rregullave të sigurisë publike në Kosovë”, deklaron Çeku.

Ministri Çeku thekson se prona ku është e ndërtuar kjo kishë është në procesin gjyqësorë dhe sipas tij aktiviteti i sotëm ishte presion mbi gjykatën.

“Prona ku është ngritur struktura e papërfunduar aktualisht është në procedurë kontestimore dhe ku paditës është Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”. Për këtë arsye, asnjëra palë që është pjesë e procedurës gjyqësore nuk guxon të ushtrojë presion mbi gjykatat. Bëjmë thirrje që situatat e tilla të mos përsëriten dhe palët e interesit në këtë rast gjyqësor të përmbahen nga ushtrimi i presionit të drejtpërdrejtë ose të tërthortë mbi institucionet e drejtësisë”, thotë ai.

Tutje ministri thotë se liria fetare është e garantuar me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës por që veprimtaria fetare nuk mund të përdoret për qëllime politike dhe as të cënojë rendin.

“Liria e veprimtarisë fetare është e garantuar me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, dhe ajo mbrohet me të gjitha mekanizmat institucional. Mirëpo, veprimtaria fetare nuk mund të përdoret për qëllime politike dhe as të cënojë rendin, ligjin dhe drejtësinë. Për paqen që e gëzojmë sot kemi paguar çmim të lartë, prandaj institucionet e Kosovës nuk do të tolerojnë veprime që cënojnë sigurinë publike, ndërhyjnë në pavarësinë e gjyqësorit dhe nxisin konflikte duke e rrezikuar bashkëjetesën mes komuniteteve”, thotw ministri Çeku përmes reagimit të tij. /Zëri