Infektuar: 107497
Shëruar: 104054
Vdekur: 2245
Tahiri: Bërnabiqi me mendje në epokën e Millosheviqit, nuk do të ketë paqe dhe dialog të suksesshëm

Tahiri: Bërnabiqi me mendje në epokën e Millosheviqit, nuk do të ketë paqe dhe dialog të suksesshëm

Aktuale June 10, 2021 - 20:07
Image

Kryeministrja serbe Ana Bërnabiq ka deklaruar sot se Kosova është pjesë e Serbisë.

Këtë qëndrim ajo e shprehu sot gjatë Samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor në Tiranë, ku i pranishëm ishte edhe kryeministri i vendit Albin Kurti.

Edita Tahiri, ish-kryenegociatorja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në një përgjigje për “Zërin” e ka cilësuar këtë deklaratë si provokative, duke thënë se sikurse presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe po ashtu Bërnabiqi, që të dy, kanë mbetur me mendje në epokën e kriminelit të luftës Sllobodan Millosheviq.

Tahiri ka theksuar se përderisa të dy vazhdojnë me këtë mentalitet, nuk do të ketë fqinjësi të mirë dhe dialogu do të jetë i pasuksesshëm.

“Nuk duhet të habitemi nga deklaratat e tilla provokuese të liderëve të Serbisë, qoftë të Vuçiqit apo Bërnabiqit, se ata me mendje ende jetojnë në epokën e Millosheviqit i cili ka bërë gjenocid në Kosovë, dhe nuk janë në gjendje të ballafaqohen me të kaluarën. Përderisa vazhdojnë kështu me mentalitet të Millosheviqit, nuk do të ketë as fqinjësi të mirë, as paqe, dhe as dialogu nuk mund të ketë sukses me një mentalitet të tillë millosheveqian”, ka thënë Tahiri, raporton Zeri.info.

Tahiri po ashtu ka dhënë një mesazh për Serbinë.

“Një mesazh për Serbinë: Gjykata ndërkombëtare për drejtësi e ka vërtetuar ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Kosova është bërë e pavarur falë gjakut të derdhur. Ky është realitet që askush s’mund ta ndryshojë”, ka deklaruar ish-kryenegociatorja Edita Tahiri.

Ndryshe, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë të martën, më 15 qershor. Ky do të jetë ky takimi i parë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. /Zëri