“Sa të jem drejtor unë s’do të punësohen në arsim gratë me mbulesë”, fjalia që çoi në shkarkim drejtorin Ferizi

“Sa të jem drejtor unë s’do të punësohen në arsim gratë me mbulesë”, fjalia që çoi në shkarkim drejtorin Ferizi

Aktuale May 17, 2021 - 11:36

Drejtori i Arsimit në Komunën e Mitrovicës, Ismet Ferizi, është shkarkuar nga pozita e drejtorit.

“Jepi zë” merr vesh se vendimin për shkarkim e ka marrë sot kryetari i Komunës, Agim Bahtiri.

Ky vendim u prezantua edhe sot në mbledhjen e bordit të drejtorëve. E po në këtë mbledhje u tregua edhe arsyeja e shkarkimit të Ferizit, që lidhet me konkursin e fundit në arsim.

Sipas kryetarit Agim Bahtiri, drejtori Ferizi kishte thënë se do të shkelte procedurat, vetëm të mos lejojë që të punësohen në arsim gratë e mbuluara.

“Sa të jem unë drejtor, askush me shami s’ka m’u punësu në arsim”, e ka cituar Agim Bahtiri drejtorin Ferizi, duke thënë se kjo gjë ishte arsyeja e shkarkimit.

Këto fjalë, gjithmonë sipas Bahtirit, u thanë në një takim të përbashkët me drejtorin Ferizi dhe ministren e Arsimit Arbërie Nagavci.

Sidoqoftë, Ferizi ishte emëruar drejtor pak kohë më parë, pas shkarkimit të ish-drejtorit Egzon Jashari.

Ndryshe, drejtoria e Arsimit në Komunën e Mitrovicës është ndër drejtoritë më të përfolura, për shkak të shumë ankesave nga kandidatët për mësimdhënës.