Nagavci reagon për rastin ku dyshohet se një nxënëse e klasës së parë u dhunua seksualisht

Nagavci reagon për rastin ku dyshohet se një nxënëse e klasës së parë u dhunua seksualisht

Aktuale May 15, 2021 - 20:28

Sot në media është raportuar për një rast të dhunës seksuale në një shkollë në Prishtinë.

Lidhur me këtë ka reaguar ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci, e cila ka thënë se ende nuk kanë ndonjë informatë zyrtare, por që do ta trajtojnë rastin me prioritet dhe kujdes të veçantë.

“Në lidhje me shkrime dhe statuse të shumta që janë publikuar sot rreth një rasti që dyshohet të ketë ndodhur në afërsi të një shkolle në kryeqytet, edhe pse nuk kemi ende informata zyrtare, ju siguroj se do ta trajtojmë me prioritet dhe kujdes të veçantë. Besoj se njejtë do të veprojnë të gjitha institucionet kompetente. Është shumë me rëndësi që në vazhdimësi të ketë bashkëpunim të plotë në mes të shkollave, prindërve, shërbimeve profesionale e instucione tjera përgjegjëse. Të gjithë së bashku duhet të punojmë shumë për edukim dhe në mënyrë që t’i eleminojmë dukuritë negative nga shkollat dhe shoqëria jonë”, ka shkruar Nagavci në Facebook.

Ajo po ashtu, për shkak se bëhet fjalë për fëmijë të mitur, ka ftuar që të gjithë të përmbahen nga çdo deklaratë apo publikim që përmban të dhëna dhe detaje të cilat mund të dërgojnë në identifikimin e tyre.

Për këtë rast për “Zërin” kanë dhënë detaje edhe nga policia e Kosovës.

Zëdhënësi i policisë, Agron Borovci ka thënë që rasti eshtë duke u trajtuar në koordinim me drejtuesit e shkollës, zyrtarët e Qendrës për Punë dhe Mirëqenie Sociale dhe Prokurori i Shtetit.

“Nga zyrtarët e shkollës kemi pranuar një informacion me ndjeshmëri, i cili është trajtuar në koordinim me drejtuesit e shkollës, zyrtarët e Qendrës për Punë dhe Mirëqenie Sociale si dhe Prokurorin e shtetit. Për shkak të moshës së personave të përfshirë në këtë ngjarje dhe rrethanave specifike, me rekomandim të prokurorit, rasti po trajtohet nga Qendra për Punë dhe Mirëqenie Sociale”, ka thënë ai. /Zëri