Infektuar: 107497
Shëruar: 104054
Vdekur: 2245
Rashiti: Kërkesa e Serbisë në dialog, autonomia madhore

Rashiti: Kërkesa e Serbisë në dialog, autonomia madhore

Aktuale May 15, 2021 - 13:14

Krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është kërkesa publike e Serbisë në raport me marrëveshjen finale në dialogun Kosovë-Serbi, por kërkesa reale përfshin një "autonomi madhore", thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Naim Rashiti, drejtor i Grupit të Ballkanit, i cili merret me hulumtimin e politikave.

Rashiti po ashtu paralajmëron për publikimin e "non-paper" të ri dhe thotë se kjo do të ndodhë sepse "ka rritje intensive të procesit të pavarësimit të Republikës Serbe" në Bosnje e Hercegovinë. Sipas tij, "ambiciet e akterëve të fuqishëm nacionalistë, janë rritur në Ballkan".

Së fundmi, Grupi i Ballkanit ka angazhuar ekspertë të jashtëm për të asistuar Qeverinë e Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë.

Radio Evropa e Lirë: Grupi për Ballkan, Qeveria e Kosovës dhe Ambasada e Norvegjisë, në fund të prillit, kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi, i cili përcakton modalitetet për angazhimin e ekspertëve të jashtëm për procesin e dialogut me Serbinë dhe agjendave tjera që ndërlidhen me dialogun. Konkretisht, cili do të jetë roli i këtij grupi?

Naim Rashiti: Ky është vazhdim i një projekti që ka filluar më herët. Marrëveshje të tillë kemi pasur edhe me Qeverinë Hoti. Ne i mbështesim, i kontraktojmë ekspertët e jashtëm, për t'i shërbyer qeverisë, në këtë rast zëvendëskryeministrit dhe kryeministrit. Në qeverinë e kaluar ka qenë koordinatori për dialog dhe kryeministri me ekspertë të jashtëm për çështjen e dialogut, pra për t'i ndihmuar qeverisë që të përgatitet sa më mirë për dialog. Kaq, përfundon mandati ynë.

Emrat e tyre, përzgjedhja e tyre bëhet me kërkesë të qeverisë, por janë disa kritere që nuk duhet të jenë përfaqësues politikë, nuk duhet të jenë anëtarë të subjekteve politike. Duhet të jenë dhe të kenë ekspertizë të veçantë në çështjet e dialogut dhe të gjithë këta njerëz që janë në ekip tash për tash, kanë ekspertizat e veta të dialogut si në aspektin financiar, qoftë të ligjit ndërkombëtar apo të negociatave, qoftë të marrëdhënieve dhe zhvillimeve të BE-së, qoftë edhe të proceseve të mëhershme të dialogut, apo të gjithë vazhdimësisë së dialogut.

Këta ekspertë janë të kontraktuar si ekspertë për ta mbështetur qeverinë dhe i japin përgjegjësi në aspekte të përmbajtjes, kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit. Këta punojnë, angazhohen për detyra që ndërlidhen me dialogun dhe që merren nga zëvendëskryeministri.

Radio Evropa e Lirë: Pse mendoni se Qeveria e Kosovës apo kryeministri kanë nevojë për një grup të tillë ekspertësh nga jashtë?

Naim Rashiti: Çdoherë qeveritë e ndryshme kanë pasur ndihmë nga jashtë. Dhe ne kemi krijuar një mekanizëm lehtë të bëshëm që të mobilizohet një grup i tillë, e që mund të ketë (emra) të tjerë, apo mund të ndodhë që dikush nga ta të mos qëndrojë në ekip, ne nuk e dimë. Kjo varet nga dinamika e procesit që zhvillohet, nga marrëdhënia dhe përgjegjësitë që marrin nga zëvendëskryeministri dhe kryeministri për ekspertët e jashtëm dhe mobilizimin e tyre për ta ndihmuar qeverinë.

Kosova ka pak traditë në këtë dialog. Që nga procesi i Vjenës, ku kanë marrë pjesë grupi politik strategjik dhe ekspertë të tjerë që kanë punuar në dialog, nuk ka pasur pastaj një vazhdimësi të këtyre proceseve. Dhe çdo qeveri ka dështuar të krijojë një grup të fuqishëm brenda qeverisë, që merret me këtë çështje.

Në Serbi, në rastin më të mirë, punojnë 100 veta, në rastin kur kanë çështje që duhet të punojnë, angazhohen deri në 200 veta të strukturës institucionale politike, që punojnë për çështjet që ndërlidhen me dialogun me Kosovën. Në këtë rast edhe me pajtimin e qeverisë dhe mirëkuptimin e tyre, besoj edhe me mirëseardhjen e tyre, kemi krijuar këtë ekip që t'ju ndihmojë atyre.

Radio Evropa e Lirë: Qeveria e re fillimisht pati thënë se nuk e konsideron si prioritet çështjen e dialogut. Por, tashmë ajo deklaron se e konsideron si çështje të interesit nacional. Si e shihni dedikimin aktual të qeverisë ndaj këtij procesi?

Naim Rashiti: Dialogu është për këdo që është në qeveri. Kur kemi filluar këtë projekt, kur e kemi dizajnuar, ne nuk e kemi ditur kush do të jetë në qeveri dhe a do të ndërrohen kaq shpesh qeveritë.

Tani kemi një qeveri të udhëhequr nga Albin Kurti dhe përgjegjës për dialogun, Besnik Bislimin. Çështjet që ndërlidhen me pjesëmarrjen në dialog, modalitetet e dialogut janë çështje politike.

E ardhmja evropiane e Kosovës kalon përmes dialogut me Serbinë, që nuk është aspak e mirë dhe nuk është aspak e mirëseardhur.

Por, kështu ka formësuar qëndrimet e veta BE-ja dhe qeveria aktuale dhe çdo qeveri tjetër, do të duhej të punonte shumë, të angazhohet shumë, intensivisht në dialog dhe në të njëjtën kohë të prodhojë sa më shumë, të shtyjë sa më shumë agjenda të tjera me BE-në, paralelisht me dialogun dhe sidomos me vendet anëtare të BE-së, sepse marrëdhëniet e Kosovës me Gjermaninë nuk janë vetëm përmes dialogut. Marrëdhëniet me Francën nuk janë vetëm përmes dialogut.

Qeveria aktuale duhet të ndërtojë agjenda pro-aktive me institucionet e BE-së dhe vendet anëtare të BE-së, paralelisht krahas dialogut, pa e ngadalësuar apo tjetërsuar dialogun, por duke shtyrë të gjitha agjendat në mënyrë paralele.

Nuk ka marrëveshje pa dialog intensiv

Radio Evropa e Lirë: Dialogu Kosovë-Serbi, ende nuk ka arritur të gjejë një rrugë drejt një marrëveshjeje përfundimtare. Ku i shihni defektet në procesin e deritashëm?

Naim Rashiti: Nuk kemi një proces intensiv. Nuk do të ketë marrëveshje, nuk do të duket marrëveshja nëse nuk do të ketë proces intensiv të dialogut, nëse nuk kemi mbështetje politike nga të gjitha palët, në veçanti, nëse në Kosovë nuk kemi një mobilizim politik dhe përcaktim strategjik se a do t'i japim fund kësaj apo jo. Dhe në aspektin ndërkombëtar duhet ta shohim se çfarë BE-ja ka në tavolinë së bashku me SHBA-në, për një marrëveshje Kosovë- Serbi.

Asnjë nga konfliktet në Ballkan nuk është zgjidhur vetëm përmes dialogut dypalësh, por ka qenë pako e një procesi më të madh, edhe pse jo të mos zgjidhet kjo çështje për interes të dy palëve, të Kosovës dhe Serbisë. Por, duhet të investohet që të ketë një proces intensiv një vit, dy vjet, tri vjet, që të kërkohet marrëveshja më e mirë, marrëveshje që e vendosë Kosovën në një standard tërësisht tjetër nga ajo çfarë është sot ndërkombëtarisht.

Radio Evropa e Lirë: E përmendët mobilizimin politik. Opozita deri tani ka thënë se nuk do të inkuadrohet në procesin e dialogut, por vetëm do ta monitorojë dialogun. A prisni një unifikim të faktorit politik në Kosovë lidhur me dialogun?

Naim Rashiti: Për një fazë ku mund të negociohet për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, domosdo duhet të ketë përfshirje të të gjitha institucioneve, por edhe subjekteve politike. Është diçka që do të kërkojë, në një farë formë, miratimin e të gjithë akterëve kryesorë, subjekteve kryesore, është e domosdoshme.

Mekanizmi se si duhet të gjendet kjo nuk e dimë. Por, është pak herët të flitet për këto mekanizma apo funksionimin e brendshëm, derisa nuk kemi një dinamikë të dialogut, nëse nuk dihet një agjendë me e qartë e dialogut.

A do të kemi agjendë të dialogut? Nuk e dimë sepse do të varet nga Kosova, nga Serbia dhe nga BE-ja. Duhet ta kuptojmë drejt se procesi i dialogut po bëhet gjithnjë e më i vështirë, për fajin e të gjithë faktorëve.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KËTU