Ambasadori izraelit në Beograd thotë se Serbia e ka njohur Kosovën me Marrëveshjen e Washingtonit
Foto: Tanjug

Ambasadori izraelit në Beograd thotë se Serbia e ka njohur Kosovën me Marrëveshjen e Washingtonit

Aktuale May 12, 2021 - 10:53

Ambasadori i Izraelit në Serbi, Jahel Vilan, ka thënë se njohja e Kosovës nga vendi i tij ka ardhur pas presioneve të Amerikës.

“Mos më keqkuptoni, është temë e rëndësishme, por është storie tjetër. Vendimi i Izraelit për njohje të pavarësisë së Kosovës ka ardhur nën presionin amerikan dhe të mos harrojmë, kjo ka ardhur në kuadër të një marrëveshjeje mes Serbisë dhe Kosovës me Amerikën e jo krye në vete. Nuk po dua të fshihem prapa saj, këtë vendim Izraeli e mori pas shumë vitesh që nuk e njohëm Kosovën. Kjo është kundër interesave tona në Serbi”, u shpreh ai në televizionin serb “Prva”.

Në pyetjen nëse Izraeli do ta rishikonte vendimin për Kosovën, ambasadori tha se nuk dëshiron të krijojë ambient për optimizëm në opinionin në Serbi.

“Aktualisht nuk e shoh si mundësi këtë. Marrëveshja është arritur, Izraeli e ka njohur Kosovën dhe Kosova e ka vendosur ambasadën e saj në Jerusalem. Nuk shoh mundësi të tërheqjes së njohjes përderisa të dyja palët [shën.red. Kosova dhe Serbia] janë pajtuar për këtë në Marrëveshje”, tha ai, transmeton Zeri.info.

Moderatori i emisionit insistonte se Serbia nuk e ka njohur Kosovën me Marrëveshjen e Washingtonit.

Ndërkaq, ambasadori Vilan tha se nuk e ka parë atë dokument, por shtoi se askush në Serbi nuk e ka demantuar nënshkrimin e tij.

“Përse do ta shihja unë atë dokument, nuk është marrëveshje imja, Serbia e ka nënshkruar atë dokument. Nuk kam parë asnjë demant nga Serbia ose Amerika. Serbia asnjëherë nuk e ka demantuar atë nënshkrim. Nuk kam parë që dikush në Serbi të ketë thënë se nuk e kanë nënshkruar atë marrëveshje. Dokumenti ekziston, për aq sa di unë”, theksoi Jahel Vilan.

E ndaj kësaj deklarate të ambasadorit izraelit ka reaguar ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Nikola Selakoviq.

Ai tha se deklarata e Vilanit se Serbia “e ka njohur Kosovën” është absolutisht e pasaktë dhe se kjo është “njëfarë pafytyrësie”. /Zëri