Qytetarët të pakënaqur për mënyrën e organizimit të vaksinimit, thonë se shumë persona po hyjnë pa rend

Qytetarët të pakënaqur për mënyrën e organizimit të vaksinimit, thonë se shumë persona po hyjnë pa rend

Aktuale May 12, 2021 - 08:49

Numër i madh i personave mbi 65 vjeç kanë pritur në radhë për t’u vaksinuar në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë.

Mirëpo qytetarët nuk janë të kënaqur me mënyrën e organizimit të vaksinimit, pasi sipas tyre po hyjnë shumë persona pa rend.

Shukrije Binaku, edhe pse tha se është në gjendje të rëndë shëndetësore, askush nuk po e merr në konsideratë dhe për t’i dhënë përparësi në vaksinim.

“Protezë edhe s’marrin në dorë hiç, nuk po më lejojnë as me u afruar”.

Kurse Fatmire Sadriu është shprehur e pakënaqur me mënyrë e organizimit të vaksinimit, pasi tha se shumë persona janë futur pa rend.

Ajo tha se ka aplikuar në platformën E-Kosova, por megjithatë nuk ka pasur përparësi në vaksinim.

“S’kom pas frikë e kam problem se kallballëk, interesimin pe shoh pozitive, dhe nuk ka të keqe, por organizimi është dashtë me qenë ma ndryshe, kam aplikuar në E-Kosova dhe nuk ka përparësi, kanë hy plot njeri pa rend”, tha ajo, raporton Ekonomia Online.

Nexhmi Berisha tha se është duke pritur që nga ora 07:30 e mëngjesit, derisa shtoi se nuk ka frikë për t’u vaksinuar.

Edhe Hysen Dërvisholli është shprehur tejet i zhgënjyer, pasi tha i kanë bashkuar katër komuna, që personat e moshës 65-vjeçare të vaksinohen në sallën “1 Tetori”.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga e mërkura fillon vaksinimi i personave mbi moshën 65-vjeçare.

Përmes një njoftimi për media, MSH-ja ka bërë të ditur se fillimisht do të vaksinohen personat nga komunat e rajonit të Prishtinës.

“Nga sot 12 maj 2021 procesi i vaksinimit kundër COVID-19 fillon për personat e moshës mbi 65 vjeç (me prioritet personat e regjistruar në platformën e-Kosova), fillimisht me komunat e rajonit të Prishtinës, për të vazhduar me komunat e tjera, pastaj sipas orarit të bashkëlidhur”, thuhet në njoftim.

Orari i vaksinimit kundër COVID-19:

E mërkurë, 12 maj (08:00-19:30). Personat e moshës mbi 65 vjeç, (me prioritet personat e regjistruar në e-kosova) rajoni i Prishtinës: Prishtina, Podujeva, Obiliqi, Fushë-Kosova, Drenasi, Lipjani (salla “1 Tetori”, Prishtinë).

E premte, 14 maj: (08:00-19:30). Personat e moshës mbi 65 vjeç (me prioritet personat e regjistruar në E-Kosova) Prishtina (salla “1Tetori”, Prishtinë) Të gjitha komunat: Në QKMF.

E shtunë, 15 maj (08:00-19:30). Personat e moshës mbi 65 vjeç (me prioritet personat e regjistruar në E-Kosova) Prishtina (salla “1Tetori”, Prishtinë) Të gjitha komunat: Në QKMF.