Kurti shtyn reciprocitetin me Serbinë

Kurti shtyn reciprocitetin me Serbinë

Aktuale May 07, 2021 - 17:56
Image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fushatën parazgjedhore të zgjedhjeve të 14 shkurtit, pati premtuar se reciprociteti me Serbinë do të jetë çështje ditësh apo javësh, por jo muajsh.

Gjatë një interviste televizive në prag të zgjedhjeve, Kurti pati theksuar se nuk duhet të jetë diçka e pazakonshme vendimi për vendosjen e reciprocitetit.

“Ndoshta e ka bërë të pazakonshëm këtë gjë, fakti që kjo qeveri që po ikën veprimin e parë që bëri ishte heqja e reciprocitet me 6 tetor”, kishte thënë Kurti.

I pyetur se kur do ta vendoste reciprocitetin nëse do të fitonte zgjedhjet, Kurti ishte përgjigjur:

“Vendosja e reciprocitetit ndaj Serbisë është ndër punët e para të qeverisë sime, është çështje ditësh apo javësh dhe jo muajsh”.

Por, ky premtim i Kurtit po del të jetë vetëm premtim, pasi në realitet një gjë e tillë ende nuk ka ndodhur, edhe pse Qeveria Kurti 2 është formuar tash e rreth një muaj e gjysmë (22 mars), raporton Zeri.info.

“Zëri” kishte kërkuar sqarime nga Zyra për Informim e Kryeministrisë për këtë çështje, mirëpo e njëjta nuk është përgjigjur ende.

Megjithatë, kryeministri Kurti, në një konferencë për media pas mbledhjes së sotme të qeverisë, u ndal edhe te kjo çështje.

Ai tha se reciprociteti me Serbinë do të ndodhë, mirëpo do të kërkojë kohë. Kjo për shkak se, siç u shpreh ai, është duke u përgatitur një analizë nga Ministria e Industrisë mbi shkeljet që është duke i bërë Serbia.

Ai po ashtu tha se për këtë reciprocitet duhet të informohen ndërkombëtarët, por edhe të përgatiten zyrtarët shtetërorë të Kosovës për zbatimin e këtij reciprociteti.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë është duke e përgatitur një raport për mua me të gjitha shkeljet që i bën Serbia të CEFTA-s. Ne do ta përdorim përveç CEFTA-s edhe EFTA-n ku do të jetë një shans i madh i yni për të krijuar konkurrencë të lirë dhe fer, sepse me këto barriera jotarifore që na i vendos Serbia me siguri që një gjë e tillë është e pamundur. Mos harroni që edhe herën e parë që isha kryeministër, kaluan rreth dy muaj derisa e vendosa reciprocitetin, dhe atë gradual. Na duhet një analizë, sepse e kemi pasur reciprocitetin por na e kanë hequr. Tash na duhet një analizë në mënyrë që kur ta zbatojmë reciprocitetin të mos na dështojë. Edhe na duhet kjo analiza, për ta përgatitur dosjen që paraprakisht t’i njoftojmë faktorët ndërkombëtarë. Ne nuk duam t’i befasojmë ata, por të bashkëpunojmë me ta. Duhet t’i vëmë në spikamë të gjitha barrierat jotarifore që ndonjëherë janë sistemore e shpeshherë janë sporadike që zbatohen nga Serbia kundër Kosovës. Na duhet t’i përgatisim edhe zyrtarët tanë shtetërorë për zbatimin e reciprocitetit. Nuk ka shumë kohë që është vendosur drejtori i ri i Doganës. Nëse ke shumë barriera jotarifore sporadike, do të thotë që zyrtari shtetëror duhet të jetë shumë i përgatitur për ta zbatuar reciprocitetin. Prandaj po na duhet ca kohë, sepse nuk mund të nisim me zbatim e ai të mos jetë i plotë”, u shpreh Kurti.

Më parë, Qeveria e Kosovës paralajmëroi masa të reciprocitetit për secilin shtet, përfshirë edhe Serbinë. Nga ekzekutivi thanë se një masë e tillë do të vendoset në secilën fushë ku ka veprime të njëanshme, të cilat, sipas tyre, shkelin parimin e barazisë dhe marrëveshjet e nënshkruara.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu e arsyetoi një veprim të tillë si obligim të qeverisë dhe kryeministrit Albin Kurti në mbrojtje të qytetarëve dhe interesave të shtetit të Kosovës.

Megjithatë, Kryeziu nuk kishte treguar se kur mund të pritet një vendim për çështjen e reciprocitetit, por kishte shtuar se vendimi do të merret me kohë.

Përfaqësuesi i BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ditë më parë u shpreh kundër atij lloji të reciprociteti që do të krijonte pengesa të reja në mes të palëve dhe që do të vështirësonte qarkullimin e njerëzve dhe mallrave.

Lajçaku thotë se në të kaluarën janë vendosur taksa dhe askush s’ka përfituar nga një lëvizje e tillë. Ai ka thënë se është pro reciprocitetit që nënkupton largim të barrierave mes shteteve dhe jo të kundërtën.

“Sa i përket reciprocitetit, unë e kam marrë më shumë si një detaj elektoral. E kemi parë kur janë vendosur taksat, kush ka përfituar nga ajo?- askush. Jam pro reciprocitetit nëse ai nënkupton heqje të barrierave dhe jo krijim të pengesave të reja në mes të palëve”, u shpreh Lajçaku.

Për shkak të mospranimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), në nëntorin e vitit 2018, Qeveria e atëhershme e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj, kishte vendosur taksë doganore, fillimisht 10 dhe më pas 100 për qind, ndaj mallrave të importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Nga qeveria pasuese, e udhëhequr nga Kurti, më 31 mars, 2020 taksa u shndërrua në reciprocitet me Serbinë, gjë që nxiti kundërshtim në Serbi, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkim Evropian. Heqja e kësaj mase ishte vendimi i parë i pasardhësit të Kurtit, Avdullah Hotit, i cili e hoqi reciprocitetin më 6 qershor, gjë që mundësoi rinisjen e dialogut politik mes Prishtinës dhe Beogradit zyrtar. /Zëri