Ambasadori gjerman i quan të papranueshme sulmet personale ndaj Gërvallës

Ambasadori gjerman i quan të papranueshme sulmet personale ndaj Gërvallës

Aktuale May 06, 2021 - 18:48

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde ka komentuar sulmet e sotme në Kuvend ndaj ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, e cila gjatë fjalimit të saj ka thënë se Gjykata Speciale është krijuar nga Kuvendi i Kosovës dhe jo nga Serbia.

Rohde i ka quajtur të papranueshme sulmet personale që janë bërë në drejtim të Gërvallës.

“Skenat e sotme në Kuvend ishin të papranueshme për një parlament. Gjithashtu unë i konsideroj të papranueshme sulmet personale ndaj ministres Gërvalla”, ka thënë Rohde, raporton Zeri.info.

Në një postim në Twitter, ambasadori gjerman theksoi se Gjermania, sikurse të gjitha vendet anëtare të BE-së, e mbështet plotësisht vendimin e Kuvendit për krijimin e Gjykatës Speciale.

Rohde tha se hetimi i krimeve të luftës kundër njerëzimit është pjesë e angazhimit kosovar për sundimin e ligjit.

“Shfrytëzoj këtë rast për të nënvizuar përsëri se Gjermania, si të gjitha vendet anëtare të BE-së, mbështet plotësisht vendimin e Parlamentit të Kosovës, të miratuar me shumicë prej 2/3, për krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës. Luftimi i mosndëshkueshmërisë dhe hetimi i krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit është pjesë e angazhimit kosovar për sundimin e ligjit. Gjermania është e bindur se lufta e pandëshkueshmërisë përmes gjykatave penale kombëtare dhe ndërkombëtare është pjesë e një politike të përgjegjshme ligjore dhe të jashtme”, ka shkruar Rohde në Twitter.

Ambasadori gjerman thekson se në një shoqëri nuk mund të ketë paqe pa drejtësi dhe sipas tij borxhi është ndaj familjeve të viktimave.

“Nuk mund të ketë paqe të qëndrueshme në një shoqëri, pa drejtësi. Ne ua kemi borxh gjithashtu familjeve të viktimave. Është e rëndësishme të përkrahet puna e rëndësishme e DHSK-së e cila është e parashikuar në ligjin kosovar”, është shprehur Rohde.

Ditëve të fundit ka pasur kërkesa në drejtim të kryeministrit Albin Kurti që ta shkarkojë Gërvallën nga pozita e ministres së Punëve të Jashtme pikërisht për shkak të deklaratave të saj për Gjykatën Speciale. Ajo në disa intervista të mëhershme ka deklaruar se do të ofrojë dëshmi kundër të akuzuarve nga kjo gjykatë.

Atje po gjykohen disa ish-komandantë e ish-ushtarë të UÇK-së. /Zëri