Ministrat e Jashtëm të G7-ës kundërshtojnë fuqishëm ndryshimin e kufijve në Ballkan
Foto: Reuters

Ministrat e Jashtëm të G7-ës kundërshtojnë fuqishëm ndryshimin e kufijve në Ballkan

Aktuale May 06, 2021 - 18:09

Në Londër është mbajtur takimi i Grupit të Shtatë Ministrave të Jashtëm (G7), ku është diskutuar kryesisht për qëndrimin ndaj Rusisë dhe Kinës.

Mirëpo, ministrat e jashtëm kanë prekur edhe temën e Ballkanit Perëndimor, ndërsa kanë kundërshtuar vendosmërisht çdo përpjekje për ndryshim kufijsh në rajon.

“Spekulimet e pajustifikuara rreth ndryshimeve të kufijve përgjatë vijave etnike nuk janë zgjidhje për sfidat me të cilat përballet rajoni. Ndryshime të tilla do të përbëjnë një kërcënim për sigurinë rajonale. Ne e kundërshtojmë vendosmërisht çdo përpjekje për të minuar integritetin territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës”, thuhet në komunikatën e lëshuar pas përfundimit të takimit të G7-ës në Londër.

Në takim është folur edhe për çështjet tjera veç e veç për shtetet e rajonit. Për Kosovën u tha se duhet të angazhohet që bashkë me Serbinë të gjejnë një rrugë drejt arritjes së një marrëveshjeje ligjërisht obliguese që do të kontribuonte në stabilitetin rajonal.

“Kërkojmë nga Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive në negociatat në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe t’i normalizojnë plotësisht marrëdhëniet e tyre përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese që kontribuon në stabilitetin rajonal”, u tha nga ky takim, raporton Zeri.info.

Shtatë Ministrat e Jashtëm riafirmuan përkushtimin e tyre për sigurinë, rimëkëmbjen ekonomike dhe perspektivën evropiane të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke e quajtur atë një investim qenësor për paqe dhe stabilitet.

Tutje, Ministrat e Jashtëm pjesëmarrës në takimin në Londër dolën me konstatimin se negociatat për anëtarësim në BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të hapen.

Po ashtu, vendeve të rajonit iu bë thirrje që të zgjerojnë hapësirën politike dhe të përmirësojnë ambientin për shoqërinë civile dhe për mediat e pavarura.

G7-ta përbëhet nga Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Britania e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kujtojmë se në këtë takim mori pjesë edhe India, ndonëse nuk është anëtare e G7, ashtu sikurse edhe Australia, Afrika e Jugut dhe Koreja e Jugut. Takimi është pararendës i samitit kryesor të G7-ës që do të zhvillohet në qershor, me presidentin e SHBA-së Joe Biden dhe udhëheqës të tjerë botërorë ku pritet të diskutohen për tema të rëndësishme. /Zëri