Gashi: Dikur LVV-ja çirrej të mos paguhej rryma në veri, sot me Listën Serbe votuan që ajo të paguhet nga buxheti i shtetit
Foto: Laura Hasani

Gashi: Dikur LVV-ja çirrej të mos paguhej rryma në veri, sot me Listën Serbe votuan që ajo të paguhet nga buxheti i shtetit

Aktuale May 06, 2021 - 17:40

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, pasi sipas tij, sot kanë votuar që të paguhen faturat për energjinë elektrike të shpenzuar nga serbët në veri.

Gashi ka thënë se dikur LVV-ja si opozitë mallkonte nga Kuvendi që të mos paguheshin këto fatura, ndërsa sot, siç thotë ai, së bashku me Listën Serbe e votuan atë.

“Dikur çirreshin dhe mallkonin nga Kuvendi i Republikës dhe studiot televizive, që të mos paguheshin faturat për energjinë elektrike të shpenzuar nga serbët në veri. Sot, partia e Albin Kurtit së bashku me Listën Serbe votuan që nga buxheti i shtetit të paguhen faturat e energjisë së shpenzuar nga serbët në veri! Ku mbetën çirrjet, ku mbetën mallkimet, ku mbet konsistenca?! Foto që flet vet!!!”, ka shkruar Gashi në Facebook, teksa ka publikuar një fotografi nga Kuvendi ku shihet GP i LVV-së dhe deputetë të Listës Serbe, duke aluduar se ata kanë votuar pro rekomandimit që rryma e shpenzuar nga serbët në veri të paguhet nga buxheti i Kosovës.

Sot, me 61 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar rekomandimin e Komisionit përkatës dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) të mbulojë shpenzimet e energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës për 6 muajt e ardhshëm.

Kujtojmë se opozita e kishte kundërshtuar rekomandimin e KOSTT-it, i cili ditë më parë kërkoi nga Qeveria 11 milionë euro për të paguar humbjet e energjisë elektrike në veri të vendit të banuara me serbë të cilët kundërshtojnë të paguajnë faturat e energjisë që nga paslufta. /Zëri