AAK: Qeveria më lehtë paguan 11 milionë euro për veriun sesa 1.6 milion për mbrojtjen e UÇK-së

AAK: Qeveria më lehtë paguan 11 milionë euro për veriun sesa 1.6 milion për mbrojtjen e UÇK-së

Aktuale May 06, 2021 - 17:35

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka kritikuar pushtetin pasi deputetët e pozitës kanë miratuar rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, lidhur me kërkesën e Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) për sigurimin e mjeteve financiare për mbulimin e humbjeve të energjisë elektrike në katër komunat e veriut të Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka thënë se ndarja e 11 milionë eurove për energjinë e shpenzuar në komunat veriore, i shkakton shumë dëme vendit, raporton Zeri.info.

Lekaj ka thënë se Qeveria po tregohet se nuk ka kapacitete dhe guxim të zbatojë ligjin në gjithë territorin e Kosovës.

“Nga ky veprim po krijohen një sërë dëmesh. Me këtë vendim Qeveria po pajtohet se nuk ka potencial të ndëshkojë shkelësit e ligjit që keqpërdorin rrymën. Gjithashtu kjo rezulton me rritjen e çmimit të rrymës sepse obligohemi të blejmë energji. Qeveria po dëshmon se nuk ka kapacitete dhe guxim të zbatojë ligjin në të gjithë territorin e Kosovës dhe të vazhdojë integrimin e veriut”, ka thënë Lekaj në një konferencë për media.

Ai shtoi se AAK-ja i ka ofruar mbështetje Qeverisë në rast se do ta ndërpresin pagesën për rrymën e shpenzuar në veri. Lekaj tha se për Qeverinë më e arsyeshme është pagesa e 11 milionë eurove për veriun sesa 1.6 milion euro për mbrojtjen e ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë.

“Është jo etike kur deputetët e pozitës abuzojnë me emra heronjsh për të mbuluar premtimet zgjedhore. Ne ju kemi thënë se do keni mbështetje të fuqishme nëse jeni të gatshëm të mbështesim nëse do ta ndërprisni pagesën për komunat veriore. Si duket për këtë qeveri është me arsyeshme që të paguhet rryma për serbët në veri sesa shtesat për heronjtë, fëmijët e heronjve, pensionistët, policët, në arsim, e të tjera. Kjo qeveri më të lehtë e ka të japë 11 milionë euro për rrymën në veri se sa 1.6 milion euro për të mbrojtur luftën e shenjtë të UÇK-së”, tha Lekaj në konferencën para gazetarëve. /Zëri