“Komuniteti goran ndihet pjesë e shtetit të Kosovës”

“Komuniteti goran ndihet pjesë e shtetit të Kosovës”

Aktuale May 06, 2021 - 17:18

Presidentja Vjosa Osmani, ka pritur në zyrën e saj disa përfaqësues të komunitetit të goranëve, duke i uruar ata për Ditën e Goranëve dhe duke i falënderuar për kontributin e tyre për diversitetin kulturor.

Në këtë takim, Osmani ka theksuar mbështetjen e saj për fuqizimin e grave të këtij komuniteti në të gjitha nivelet, duke theksuar se problemet me të cilat përballet komuniteti goran janë të njëjta me të qytetarëve të tjerë të vendit.

Ndërkaq përfaqësuesit e këtij komuniteti, sipas komunikatës së Presidencës, kanë theksuar se komuniteti goran ndihet pjesë e shtetit të Kosovës, ndaj edhe kanë kërkuar mbështetjen e institucioneve në mënyrë që të adresohen nevojat e komunitetit për punësim dhe zhvillim.

Ata kanë potencuar rolin e rajonit të Gorës edhe në zhvillimin e turizmit në këtë pjesë.

“Më tej, ata kërkuan rritjen e kujdesit institucional për komunitetin goran dhe vendbanimet e tyre, në mënyrë që rinia e kësaj ane të mos e braktisë Kosovën. Përfaqësues të këtij komuniteti kanë shfaqur shpresën se projektet zhvillimore që mbështesin komunitetin do të përkrahen edhe nga institucionet vendore”, bëhet e ditur në njoftimin për media. /Zëri