Jashari: Kuqicën po e bëjmë me ujë të pijshëm

Jashari: Kuqicën po e bëjmë me ujë të pijshëm

Aktuale May 06, 2021 - 15:00

Sot ka filluar projekti i instalimit të kyçjeve individuale të ujësjellësit në fshatin Kuqicë, i financuar nga Komuna e Skenderajt.

Me këtë rast kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka vizituar fshatin Kuqicë për të parë nga afër zhvillimin e punimeve në realizimin e këtij projekti, i cili sipas Jasharit do të përfundojë brenda një muaji e gjysmë.

Jashari para qytetarëve të këtij fshati u shpreh i lumtur që premtimin e dhënë vitin e kaluar qytetarëve të këtij fshati po e jetëson me sukses.

“Nuk do të ndalemi me kaq, brenda këtij muaji do të fillojmë me instalimin e ujësjellësit edhe në LLaushë, Burojë e Aqarevë, për të vazhduar më pas brenda këtij viti edhe në fshatrat e bashkësisë lokale të Likocit e Rezallës”, deklaroi Jashari.

Tutje, Jashari shtoi se brenda mandatit të tij qeverisës po bëjnë me ujë të pijshëm 25 fshatra të komunës së Skenderajt dhe për këtë ai falënderoi Qeverinë zvicerane për instalimin e gypit kryesor dhe Ministrinë e Mjedisit për përkrahjen në instalimin e kyçjeve individuale në disa fshatra.

Sipas Jasharit, në fshatin Kuqicë, përveç ujësjellësit, Komuna që ia udhëheq gjatë mandatit të tij ka investuar edhe në ndërtimin e rrugëve, kanalizimit, shtrirjen e shërbimeve për mbeturina, kurse gjatë vitit do të ndërtojë edhe një poligon sportiv për të rinjtë e këtij fshati, kërkesë kjo e cila doli sot nga banorët e Kuqicës.