Kryetari i Sindikatës kërkon nga Konjufca shkarkimin e Bordit të RTK-së

Kryetari i Sindikatës kërkon nga Konjufca shkarkimin e Bordit të RTK-së

Aktuale May 06, 2021 - 14:38

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të RTK-së, Fadil Hoxha, është takuar sot me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Në kuadër të këtij takimi Hoxha e njoftoi Konjufcën për gjendjen alarmante në Transmetuesin Publik si pasojë e veprimeve të kundërligjshme, punësimeve të pakontrolluara, borxheve në vlera milionëshe, kushteve të rënda të punës etj.

Sipas kryetarit Hoxha, Bordi i RTK-së ka dështuar t’i përmbushë detyrat e parapara me Ligjin e RTK-së, andaj për shkak të paaftësisë profesionale të dëshmuar në vazhdimësi, ky Bord duhet të shkarkohet sa më parë.

Sipas Hoxhës, përfaqësuesit e Bordit kanë dështuar të zgjedhin një Menaxhment në përputhje me Ligjin e RTK-së; Të krijojnë një strukturë të mirëfilltë organizative; Të sigurojnë ambient të përshtatshëm për Auditorin gjeneral për auditimin e performancës dhe të pasqyrave financiare në RTK; Të garantojnë zbatim efektiv të standardeve profesionale dhe kodit të mirësjelljes; Të garantojnë paanshmërinë, objektivitetin dhe saktësinë e informacionit në programet e RTK-së; Të zbatojnë kriteret ligjore e profesionale për punësimin e personelit; Të ofrojnë kushtet elementare të punës për personelin etj.

Përveç shkarkimit të Bordit, Hoxha kërkoi nga kryeparlamentari Konjufca formimin e komisionit hetues parlamentar, në mënyrë që të kuptohet e vërteta rreth gjendjes së përgjithshme në RTK e në veçanti asaj financiare.

Gjithashtu sipas kryetarit të SPRTK-së Fadil Hoxhës, çështja e pronës, objektit dhe financimit të qëndrueshëm të marrin përgjigje në kuadër të ligjit të ri. /Zëri