Infektuar: 106538
Shëruar: 98223
Vdekur: 2213
Avdyli i del në mbrojtje Gërvallës, thotë se deklarata e saj e moçme për Specialen është nxjerrë nga konteksti

Avdyli i del në mbrojtje Gërvallës, thotë se deklarata e saj e moçme për Specialen është nxjerrë nga konteksti

Aktuale May 04, 2021 - 10:20

Reagime të shumta erdhën ndaj kryediplomates së Kosovës Donika Gërvallës, pas një deklarate që kishte bërë në vitin 2017, ku thoshte se do të dërgonte materiale në Hagë për ta ndihmuar Gjykatën Speciale sapo ajo të formohej.

Ndërkaq deputeti i LVV-së, Haxhi Avdyli, i ka dalë në mbrojtje asaj, duke thënë se kjo deklaratë është nxjerrë nga konteksti dhe është bërë në rrethana të tjera.

“Eksponentë të politikës e parapolitikës, e shërbëtorë të pushteteve të kaluara, dje gjatë tërë ditës ia bënë gjyqin publik, zëvendëskryeministres dhe ministres së PJ z. Donika Gërvalla, për një deklaratë të vjetër, të shkëputur, e nxjerrë nga konteksti dhe e thënë në rrethana krejt të tjera. Ky gjyq publik më kujton regjimet e vjetra diktatoriale, ku pasi identifikohej armiku i popullit, dënohej pa gjyq që të disiplinoheshin masat popullore”, thotë Avdyli, transmeton Zeri.info.

Sipas deputetit Avdyli, opozita po tenton që të godasë objektivin më të lehtë të një politikaneje të re femër.

“Meqë këtyre eksponentëve nuk po ua mban të gjejnë armik te bashkësia ndërkombëtare e liderët e atëhershëm politikë që bënin luftë me partitë e tyre për miratimin e Gjykatës Speciale, po tentohet të gjendet objektivi me i lehtë një politikaneje të re femër, e cila çdo gjë la nga jeta saj në Gjermani për t'i shërbyer Kosovës. Dhe ardhja saj në Kosovë ka ndodhur në vitin 2021, jo në vitin 2015, kur u miratuan Dhomat e Specializuara. Kjo i bie që kur s'ke çka i bën gomarit, i bie samarit”, thotë ai përmes një postimi në Facebook.

Tutje, ai kujton se qeveria e atëhershme kishte votuar Gjykatën Speciale me arsyetim që të pastrohej lufta e drejtë çlirimtare, derisa LVV-ja nuk e kishte votuar dhe sipas Avdylit ata janë quajtur tradhtarë.

“Prandaj opinionit duhet t'i servohet e vërteta, të gjitha veprimet e deklaratat e viteve 2014 e 2015 të liderëve të atëhershëm, kur natë e ditë e arsyetonin formimin e Gjykatës Speciale. Atëherë na thoshin që Kosova rrezikohej nëse nuk formohet kjo gjykatë, se me të do pastrohet lufta e drejtë çlirimtare. Atëherë, por jo tani, ata deputetë që s'votuan Gjykatën Speciale quheshin tradhtarë, rrezikues të shtetësisë të Kosovës. Prandaj merruni me thelbin çështjes e ndodhur më 2015 e jo me deklaratat jashtë kontekstit kohor, me qëllim frikësimi e gjykimi publik, se kjo qasje është e padrejtë, por edhe nuk u shitet tash në vitin 2021. Drejtësia dhe e vërteta është një”, thotë deputeti Avdyli.

“S’ka dy të vërteta, edhe ajo e 2015 dhe kjo e 2021, por ka njerëz që manipulojnë me të vërtetën”, përfundoi deputeti i LVV-së. /Zëri