Infektuar: 106538
Shëruar: 98223
Vdekur: 2213
Phillips: Dokumenti slloven, vazhdimësi e konceptit të Milosheviqit për shtete njëetnike

Phillips: Dokumenti slloven, vazhdimësi e konceptit të Milosheviqit për shtete njëetnike

Aktuale April 21, 2021 - 16:43

Një dokument non-paper i cili fillimisht u përfol në mediat e Bosnje e Hercegovinës, e që më pas u publikua nga një medium slloven (necenzurirano.si), i cili flet për ndryshimin e kufijve në Ballkanin Perëndimor, ka ngjallë shumë reagime në rajon, por edhe më tej.

Në dokumentin në fjalë parashihen ndryshime të kufijve të të gjitha shteteve të rajonit, madje edhe të Kroacisë, ku theksohet se Kosova dhe Shqipëria do të bashkohen, ndërsa pjesa veriore e Kosovës do të fitojë statusin e Tirolit Jugor. Pastaj, një pjesë e Republika Srpskas në BeH do të bashkohet me Serbinë; disa kantone me shumicë kroate të BeH-së do të bashkohen me Kroacinë, ose do të fitojnë status special sikurse të Tirolit Jugor.

Ky dokument u tha se është ideuar nga kryeministri slloven, Janez Jansha, i cili thuhet po ashtu se të njëjtin ua ka dërguar disa zyrtarëve të BE-së, në mesin e të cilëve edhe Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, raporton Zeri.info.

Por, vetë Jansha, disa ditë pas publikimit të tij, e mohoi vërtetësinë e tij. Megjithatë, politikanë tjerë të rajonit thanë ta kenë parë edhe më herët të njëjtin.

Se dokumenti është pranuar nga Micheli, e kishin konfirmuar fillimisht edhe nga zyra e tij.

Kryeredaktori i gazetës sllovene “Necenzurirano”, Primoz Cirman që publikoi ‘non-paperin’ për ndryshim kufijsh, ka thënë se Brukseli e konfirmoi se e kanë marrë dokumentin e kryeministrit slloven, Janez Jansha.

“Kur lajmi shpërtheu të hënën, kolegu ynë nga gazeta “Dela” korrespondent i Brukselit, pyeti zyrën Michael dhe zyra së pari konfirmoi se e kishte marrë dokumentin që flet për shpërbërjen e Bosnjë dhe Hercegovinës, por gjysmë orë më vonë e njëjta zyrë thirri e gazetarin e Dela dhe thanë se nuk mund ta mohojnë, por as ta konfirmojnë se e kanë marrë letrën”, tha për “albanian post” Primoz Cirman, kryeredaktor në këtë gazetë.

Ndërkaq, ekzistencën e këtij dokumenti e konfirmoi edhe Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, duke thënë se e ka parë atë, por se nuk dëshiron ta komentojë. Edhe Halil Matoshi, ish-këshilltar i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, tha se një delegacion slloven ka qëndruar në zyrën e kryeministrit të atëhershëm për 5 minuta, duke e prezantuar këtë plan, por se, sipas tij, ai ishte refuzuar nga Haradinaj.

David L. Phillips, drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia në New York, ka thënë për “Zërin” se ideja e shkëmbimit të territoreve dhe e ndryshimit të kufijve është temë e kamotshme, e nisur nga ish-presidenti Hashim Thaçi.

Por, thotë ai, ishte populli i Kosovës ai që i detyroi përkrahësit e kësaj ideje që ta braktisnin atë.

Madje Phillips e inkriminon edhe kryeministrin Rama në këtë “mesele”.

“Hashim Thaçi ka provuar të negociojë një shkëmbim territoresh me Aleksandar Vuçiqin; Federica Mogherini ka marrë pjesë në diskutime. Ideja u braktis sepse populli i Kosovës me shumicë dërrmuese refuzon ndarjen. Cili ishte roli i Edi Ramës? Ai mund të ketë qenë autor kontribuues i dokumentit. Minimalisht, ai e përqafoi ndarjen”, thotë Phillips në një deklaratë për gazetën “Zëri”.

Ai thekson se ndarja e Kosovës “do të ishte një tradhti e madhe ndaj kombit shqiptar që do t’i shërbente vetëm interesave të Serbisë dhe Rusisë - jo në interes të shqiptarëve”.


Vetë dokumentin slloven, profesori amerikan e quan “të pamatur” pasi, sipas tij, ai rekomandon hapa që mund të çojnë në një rifillim të konfliktit të dhunshëm me bazë etnike.

“Ndarja duhet të debatohet hapur në një proces transparent. Mbajtja e bisedimeve ‘sekrete’ nxiti spekulimet për një marrëveshje tradhtare. U zbulua se ithtarët e ndarjes ishin të gatshëm t’i dorëzonin minierat Trepçës dhe liqenin e Ujmanit Serbisë. Dhënia e tokave historike shqiptare shkaktoi një trazirë në Kosovë dhe midis shqiptarëve në të gjithë rajonin”, u shpreh ai.

Phillips u ndal te çështja e krijimit të dy shteteve të mëdha në Ballkan, “Shqipërinë e madhe” dhe “Serbinë e madhe”.

Ndarjen e kombit shqiptar në disa shtete nga fuqitë e mëdha në fillim të shekullit të kaluar, ai e quan “padrejtësi historike”.

“Shqiptarët vuajtën një padrejtësi historike kur Fuqitë e Mëdha ndanë kombin shqiptar në vende të ndryshme Universiteti Columbia organizoi Projektin e Fqinjësisë Shqiptare për të identifikuar afinitetet midis shqiptarëve në vende të ndryshme dhe për të promovuar bashkëpunimin ndërkufitar në sektorë të tillë si ekonomia, arsimi, kultura dhe mjedisi. Lulzim Basha ishte nikoqir i konferencës kur ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës. Një Shqipëri normale mundëson bashkëpunimin midis shqiptarëve pa marrë parasysh vendin e tyre të banimit. Shqiptarët ndajnë të njëjtën kulturë, gjuhë, histori dhe traditë. Ata madje ndajnë të njëjtët emra (p.sh. Berat, Vlora, Alban)”, thekson ai për “Zërin”.

Ndërsa, për sa i përket projektit të një “Serbie të madhe”, Phillips thotë se koncepti i shteteve etnikisht të pastra është përhapur nga ish-lideri i ish-Jugosllavisë, Slobodan Milosheviq, e që është ringjallur nga kryepropaganduesi i Milosheviqit, presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiqi.

“Ngritja e nacionalizmit në Ballkan dhe shkatërrimi përfundimtar i Jugosllavisë ishte një përgjigje ndaj planit të Milosheviqit për të krijuar Serbinë e madhe. Koncepti i shteteve etnikisht të pastra, i përhapur nga Milosheviqi dhe Vojislav Shesheli u diskreditua në vitet 1990. Sidoqoftë, ajo është ringjallur nga Aleksandar Vuçiqi, i cili ishte kryepropaganduesi i Milosheviqit. Virusi i nacionalizmit etik në Ballkan, të cilin e liroi Milosheviqi, është ende i fortë dhe potencialisht destabilizues, veçanërisht midis serbëve që refuzojnë pavarësinë e Kosovës. Kosova u humb për shkak të veprimeve të Milosheviqit. Tani është një shtet i lirë dhe i pavarur, i njohur nga 112 vende, i cili kurrë nuk do të kthehet në kontrollin e Serbisë”, u shpreh profesori amerikan.


I pyetur nëse ky dokumenti slloven është njëfarë presioni mbi Kosovën dhe Serbinë që përfundimisht ta nënshkruajnë marrëveshjen përfundimtare gjithëpërfshirëse, Phillips tha se ai edhe mund t’i shërbejë këtij qëllimi.

“Po, mund t’i shërbejë këtij qëllimi. Sidoqoftë, le të mos u japim shumë kredi politikanëve. Vendet në Ballkanin Perëndimor duan integrimin në Evropë, në vend të një ‘mini-Schengeni’, një tjetër ide e keqe që mbështeti Rama. Vlerat evropiane kanë të bëjnë me diversitetin kulturor dhe pranimin e dallimeve. Përveç ‘acquis communautaire’, vlerat janë baza për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në institucionet e BE-së”, potencon ai.

Tutje, profesori Phillips, në këtë bisedë për gazetën “Zëri”, kërkon që në dialogun e lehtësuar nga BE-ja mes Kosovës e Serbisë, të përfshihet me një rol më të fuqishëm edhe SHBA-ja.

“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja duhet të vazhdojë me një rol më të fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara. Formati i Vjenës, i cili çoi në pavarësinë e Kosovës, është një model i mirë për negociatat në të ardhmen”, deklaroi ai.

Përfundimisht, ai thotë se shkëmbimi territorial është ide e keqe. Ndërsa i pyetur nëse do të ketë presion nga bashkësia ndërkombëtare nëse ndonjë nga vendet e rajonit do ta përqafonte këtë plan, dhe ndonjë tjetër do ta refuzonte, Phillips thotë se nuk pret një gjë tillë, pasi sipas tij, as Gjermania e as SHBA-ja nuk do ta përkrahnin këtë ide.

“Shkëmbimi territorial është një ide e keqe; pasardhësi i Merkelit nuk do ta mbështesë atë. As Shtetet e Bashkuara nuk do të bëjnë. Administrata e Bidenit është skeptike në lidhje me shkëmbimin territorial, të cilin presidenti Biden e di nga përvoja e tij në Ballkan që është potencialisht destabilizues dhe mund të çojë në konflikt”, theksoi në fund David L. Phillips, drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia në New York. /Zëri