Zemaj është ftuar nga Policia pas lajmit për mosnënshkrimin e kontratës për vaksinat nga Vitia

Zemaj është ftuar nga Policia pas lajmit për mosnënshkrimin e kontratës për vaksinat nga Vitia

Aktuale April 20, 2021 - 21:12

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në emisionin Pressing të T7, ka thënë se edhe vetë është kontaktuar nga Policia e Kosovës, pasi gazeta Insjderi raportoi se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, nuk nënshkroi një marrëveshje që do t’ia siguronte Kosovës 500 mijë vaksina.

Zemaj tha se Policia e Kosovës e ka kontaktuar për ndihmë dhe të dëshmojë rreth procesit.

“Po, më kanë kontaktuar, më kanë kërkuar një lloj ndihme apo dëshmie rreth procesit. Për të njohur apo për të treguar se çka përmban një dokument, se si ai mund të klasifikohet si sekret”, është shprehur Zemaj.

Tutje, ai ka thënë se dokumentet nuk kanë qenë të klasifikuara, por ka ekzistuar një lloj dakordimi në mes të Qeerisë së Kosovës dhe kompanisë farmaceutike, kjo për shkak te raportit me shtetet e tjera.

“Ato nuk kanë qenë të klasifikuara por është një dakordim deri në nënshkrimin e marrëveshjes finale. Për shkak të raportit me shtetet tjera”, ka thënë Zemaj në T7.

Ndërsa për zyrtarët policorë që hynë në zyrat e Insajderit dhe më pas intervistuan drejtorin e Gazetës Insajderi, Parim Ollurin, Zemaj tha se ka qenë e panevojshme.

“Ajo turrje ndaj mediave ka qenë e panevojshme”, shtoi Zemaj.

Zemaj: Nuk jam infektuar ende me COVID-19

Ish-ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka treguar se nuk është infektuar me Covid-19. Thotë se mundohet që maksimalisht tu përmbahet masave dhe rekomandimeve për mbrojtje.

“Është bindje dhe është diçka që jam munduar ta bartë edhe të të afërmit, familja, rrethi dhe shoqëria”, tha Zemaj.

Ka qenë domosdoshmëri për shkak të aktiviteteve që të mbajmë maskën, distancën dhe sidomos higjenën për të mos rënë pre e infeksionit nga prekja”, theksoi Zemaj në Pressing.

“Pavarësisht se njerëzit po keqkuptohen ndoshta”, tha Zemaj.