Komandant Lleshi me memorial në jug të Serbisë

Komandant Lleshi me memorial në jug të Serbisë

Aktuale April 19, 2021 - 16:09

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Ragmi Mustafi ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se në një kodër mbi Tërnocin e Madh, në jug të Serbisë, kanë nisur punimet për rregullimin e hapësirës dhe ndërtimin e një objekti kushtuar komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB), Ridvan Qazimi, i njohur edhe si komandant Lleshi.

“Mund të quhet kompleks memorial, një park përkujtimor ose mund t’i vihet një emër tjetër, por në thelb, ky vend do të jetë një vend për të ruajtur kujtimin për komandant Lleshin, që ne këtu e shohim si një hero të historisë sonë të fundit, një njeri që sakrifikoi për të mirën e popullit të tij”, tregon Mustafi.

Pasi në opinion nisi të qarkullonte një informacion jozyrtar për nisjen e punimeve në këtë kompleks përkujtimor, për këtë temë u diskutua edhe në një seancë të rregullt të Parlamentit serb.

Në seancën e Parlamentit të Serbisë, të mbajtur më 13 prill, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), Gjorgje Miliqeviq, pyeti Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale e të Veteranëve nëse Komuna e Bujanocit apo autoritetet lokale të Tërnocit të Madh, kanë paraqitur ndonjë kërkesë për miratimin e lejimit të ndërtimit të kompleksit përkujtimor për Ridvan Qazimin.

Me këtë rast, ai tha se Komuna e Bujanocit duhet të respektojë ligjet e Serbisë, pavarësisht përkatësisë etnike të qytetarëve të Bujanocit.

“Në Serbi ekziston një ligj ku rregullohet saktë se kujt dhe në çfarë kushtesh mund t’i ndërtohet monument përkujtimor. Kjo sigurisht nuk është e mundur për ata që morën pjesë në veprime terroriste”, u shpreh Miliqeviq.

Shkrimin e plotë mund ta lexoni KËTU.