Sogojeva thotë se ka marrë premtim nga Vitia që do të hapen edhe sallat e dasmave

Sogojeva thotë se ka marrë premtim nga Vitia që do të hapen edhe sallat e dasmave

Aktuale April 19, 2021 - 13:34

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, në një intervistë për Ekonominë Online tha se ka marrë premtim nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, se edhe sallat e dasmave do të hapen.

Ndonëse nuk ka dhënë ndonjë afat, Sogojeva thotë se pas takimit gjashtëorësh që kanë pasur me ministrin, kanë rënë dakord që nga e hëna të rifillojnë punën sektori i gastronomisë dhe ai i hotelerisë, por me kufizime.

Ai thotë se, ndonëse të dielën temë e takimit nuk ishte lejimi i mbajtjes së dasmave, kanë marrë zotimin e kërkesat e tyre do të realizohen.

“Nuk kemi lyp diçka jashtë normales po kemi lyp ato që mund të realizohen dhe kemi gjetur një ujdi një bashkëpunim me ministrin aktual Vitia. Në kuadër të kësaj e kemi pasur takimi jo vetëm dje, por edhe më herët dhe na është premtuar që kërkesat do të realizohen. Dje kemi mbajtur takim, para se me u marrë vendimi. Është marrë një vendim i tillë, zgjatja e takimit prej 6 orësh ka dhënë rezultat, zgjatja e orarit të punës ka qenë, falë angazhimit e kemi mundësuar që ministri me u pajtuar që të jetë deri ne ora 22:00. Në këtë drejtim, jemi zotuar që kërkesat e tyre të shkojnë në vendin e duhur, por dje nuk ka qenë temë kjo. Ne dje kemi pasur temën vetëm hapja e gastronomisë dhe hotelerisë si dhe qendrave tregtare”.

Sogojeva ka pohuar se tash e tutje asnjë vendim i Qeverisë që ka të bëjë me vendosjen e masave të reja nuk do të bëhet pa konsultimin e tyre, raporton EO-ja.

Të enjten ai ka konfirmuar se do të kenë takim me përfaqësuesit e sallave të dasmave. Sipas tij, do të ishte absurde nëse nuk lejohet organizimi i dasmave, duke marrë për bazë që do të bëhet vaksinimi, masat do të respektohen dhe do të bjerë numri i të infektuarve.

“Në konsultim me ministrin jemi zotuar që tash e tutje do të kemi takimin se si di të vijnë deri tek ajo që të hapet ky sektor, duke u nisur nga ajo që do të vaksinohet popullata, numri i ratave do të bie si rezultat i këtyre masave mendoj që do t’i vijë radha që edhe sallat të lirohen.

…ne në kuadër të kësaj do te kemi takime të vazhdueshme, nga e enjtja do të kemi takim me përfaqësues të sallave të dasmave, dhe do të shikohet mundësia si ta dalin nga kjo. Unë shpresë që duke u nisur nga fakti që vaksinimi i popullatës do të behët, masat do të mbahen, dhe nëse kemi zvogëlim të pandemisë të të infektuarve, nuk ka arsyeje kushdo qoftë të marrë hap për mos me hap sallat e dasmave. Na jem të detyruar me i përkrah dhe do t’i përkrahim, prandaj edhe po bëjë përpjeke që të lirohen, por nëse nuk lirohen është normal që unë i përkrahi do të jem me ta, duhet me pas arsyeje të fortë për me i ndal. Edhe pse kemi këtë vendim ekziston mundësia edhe me u forcuar masat, nuk ka arsyeje mos me u hap sallat”.

Qeveria dje ka marrë vendim për miratimin e masave të përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

Në kuadër të këtij vendimi rihapen gastronomia, lokalet hoteliere dhe qendrat tregtare.

Ora policore do të jetë nga 22:30 deri në 05:00 të mëngjesit.