KDI: Shtatë pika të Marrëveshjes së 2013-ës janë zbatuar, dy pjesërisht dhe gjashtë s’janë zbatuar

KDI: Shtatë pika të Marrëveshjes së 2013-ës janë zbatuar, dy pjesërisht dhe gjashtë s’janë zbatuar

Aktuale April 19, 2021 - 12:40

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë filloi më 8 mars 2011 në Bruksel, pas miratimit të Rezolutës në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara, e cila bënte thirrje për një dialog për lehtësimin e jetës së qytetarëve dhe avancimin e dy vendeve drejt BE-së.

Në kuadër të fazës së parë të dialogut, e cila definohej si proces teknik, u arritën shtatë konkluzione mes palëve për çështje si lëvizja e lirë, regjistrat civilë, regjistrat kadastralë, vulat doganore, diplomat, përfaqësimi dhe bashkëpunimi rajonal/fusnota dhe menaxhimi i integruar i kufijve (IBM).

Ndërkaq, në tetor të vitit 2012 procesi i dialogut teknik filloi të referohej si dialog politik, pasi në diskutim po përfshiheshin edhe tema të tjera. Vetëm disa muaj pas fillimit të kësaj faze u arrit një marrëveshje e rëndësishme, e ashtuquajtur Marrëveshja e Parë e Parimeve për Normalizimin e Marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, më 19 prill 2013, në Bruksel.

Marrëveshja u parafua nga dy kryeministrat e asaj kohe, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, nën ndërmjetësimin e përfaqësues së lartë të BE-së në atë periudhë, Catherine Ashton. Marrëveshja u ratifikua edhe në Kuvendin e Kosovës.

Teksti i Marrëveshjes së 19 prillit është i shkruar në 15 pika, gjashtë prej të cilave lidhen me themelimin e një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe.

Në vitet në vijim nga kjo marrëveshje kanë buruar një numër i marrëveshjeve të tjera, siç ishte Marrëveshja për mbledhjen e të hyrave doganore (janar 2013), për Energjinë (shtator 2013), për Telekomin (shtator 2013), për Drejtësinë (shkurt 2015) për Shpërbërjen e “Mbrojtjes Civile” (mars 2015) dhe për Asociacionin (gusht 2015).

E tetë vjet pas arritjes së Marrëveshjes së Parë, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) i ka bërë një vlerësim, duke theksuar se shtatë nga pikat e saj janë zbatuar, gjashtë prej tyre të cilat lidhen me Asociacionin nuk janë zbatuar ende dhe dy prej tyre janë zbatuar pjesërisht.

“Nga Marrëveshja e 19 prillit kanë derivuar edhe një sërë marrëveshjesh tjera të dialogut për çështje si mbledhja e të hyrave doganore, energjia, telekomi, drejtësia, shpërbërja e mbrojtjes civile dhe asociacioni. Kjo e fundit është edhe çështja kryesore e Marrëveshjes së 19 prillit, e cila ende mbetet e pazbatuar. Që nga arritja e marrëveshjes specifike për këtë temë në gusht të vitit 2015 dhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, qeveritë e njëpasnjëshme në Kosovë kanë ndërmarrë hapa për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Ish-qeveria e udhëhequr nga Isa Mustafa kishte krijuar Ekipin Menaxhues në vitin 2016, i cili kishte për detyrë hartimin e statutit të Asociacionit. Pasi statuti nuk ishte përfunduar gjatë asaj periudhe, qeveria pasardhëse e udhëhequr nga Ramush Haradinaj sërish kishte aktivizuar këtë ekip. Njoftimet zyrtare të kësaj qeverie kanë qenë se Ekipi nuk ka dorëzuar statutin në Qeveri dhe se nuk dihet nëse i njëjti i është dorëzuar Brukselit”, ka thënë KDI-ja në një raport të publikuar për tetëvjetorin e Marrëveshjes së Parimeve, raporton Zeri.info.

Sipas KDI-së, çështja e Asociacionit është riaktualizuar si temë edhe gjatë qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti.

“Pas takimeve të mbajtura në Bruksel në kuadër të diskutimeve mbi elementet e marrëveshjes finale Kosovë - Serbi, pala serbe kishte kërkuar që çështja e Asociacionit të diskutohej, ndërsa pala kosovare nuk kishte pranuar një gjë të tillë. Në anën tjetër Bashkimi Evropian si lehtësues i procesit të dialogut ka kërkuar që Kosova të gjejë modalitete për themelimin e Asociacionit, duke mos e qartësuar se çfarë do të thotë saktësisht kjo”, thotë KDI-ja.

Ndërkaq, me rënien e qeverisë “Hoti” në fund të vitit 2020 mbeti e paqartë se si do të procedohej tutje me këtë çështje.

E kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka bërë të qartë se cila do të jetë qasja e Qeverisë ndaj dialogut në përgjithësi, përveçse ka deklaruar se do të jetë një qasje ndryshe ndaj këtij procesi dhe se dialogu nuk është prioritet i qytetarëve.

“Ajo që është e qartë është që tema e dialogut do të jetë sfidë edhe për Qeverinë e re, e cila duhet që sa më parë të artikulojë një qëndrim të qartë ndaj temave të dialogut dhe marrëveshjeve tashmë të arritura, duke përfshirë edhe Marrëveshjen e 19 prillit, e cila është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës”, ka përfunduar KDI-ja. /Zëri