Ahmeti kërkon nga gazetarët të mos e japin emrin e burimit të informatës për lajmin mbi vaksinat

Ahmeti kërkon nga gazetarët të mos e japin emrin e burimit të informatës për lajmin mbi vaksinat

Aktuale April 17, 2021 - 15:43

Kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka reaguar pas njoftimit të Prokurorisë se ka autorizuar policinë e Kosovës që të iniciojë rast në drejtim të veprës penale “Zbulim të fshehtësisë zyrtare” pas konferencës së djeshme të mbajtur nga ministri Shëndetësisë, Arben Vitia.

Në lidhje me këtë Ahmeti ka kërkuar nga gazetarët e Insajderit që të mos e japin burimin e informatës.

“Meqë nuk përzihem as në punët e policisë e as të prokurorisë, së paku mund t'i lus (ar)miqët e mi në insajder mos ta japin emrin e burimit të informatës. Jo pse e mbrojnë burimin e informatës në këtë rast por inkurajojnë rastet e tjera në të ardhmen. Jam i sigurt se kjo shoqëri e jona me demokraci të brishtë do ta ketë reagimin e duhur”, ka shkruar ai.

Ahmeti po ashtu ka folur edhe për rastin e publikimit të kontratës së autostradës me "Bechtel Enka"-n.

Ai tha se edhe pse mund ta dijë se kush ua kishte dhënë atë kopje LVV-së, nuk do të pranonte asnjëherë që ta publikonte emrin e burimit.

“Kur askush nuk e dinte se çka përmban kontrata e autostradës me Bechtel Enka, dikush e ka dorëzu në mënyrë anonime kopjen e kontratës. Përkundër rreziqeve e rrethanave, në një konferencë për media të Levizjes Vetëvendosje Besnik Bislimi dhe unë kemi publikuar atë kontratë, të cilësuar si fshehtësi zyrtare. Edhe pse mendoj se e di kush na e ka dhënë, në asnjë rrethanë nuk do të pranoja ta jap emrin sepse publikimi i kontratës ishte interes publik”, tha Ahmeti./Zëri