AGK: Tentimi i Policisë për ta zbuluar burimin e lajmit të “Insajderit”, shkelje flagrante e Ligjit për Mbrojtje të Burimeve të Gazetarëve

AGK: Tentimi i Policisë për ta zbuluar burimin e lajmit të “Insajderit”, shkelje flagrante e Ligjit për Mbrojtje të Burimeve të Gazetarëve

Aktuale April 17, 2021 - 15:09

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka njoftuar se që nga mbrëmë është duke i përcjellë me shqetësim ngjarjet e zhvilluara pas publikimeve të Gazetës Insajderi.

Nga AGK-ja kanë thënë se është tërësisht i papranueshëm intervistimi i Parim Ollurit, Drejtor Ekzekutiv i Gazetës Insajderi me qëllim të zbulimit të burimit të tyre, pasi që kjo në thelb është shkelje flagrante e Ligjit për Mbrojtjen e Burimeve të Gazetarëve dhe të drejtës së lirisë së medieve.

AGK-ja u bën thirrje organeve kompetente që të fillojnë procedura disiplinore ndaj policëve dhe prokurorëve, të cilët kanë keqpërdorur autorizimet e tyre, si dhe u bën thirrje të gjithë aktorëve relevantë që të ndalin presionin dhe pengimin e ushtrimit të profesionit ndaj gazetarëve.

"Njëherësh, AGK-ja inkurajon të gjithë gazetarët që të mos dorëzohen përballë pengimeve të tilla dhe të punojnë me përkushtim që ta informojnë publikun", thuhet në reagimin e AGK-së.

Nga "Insajderi" thanë sot të jenë vizituar nga Policia, të cilët kanë kërkuar nga ta publikimin e burimit të lajmit të djeshëm ku u tha se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, nuk e ka nënshkruar kontratën me "Pfizer"-in brenda afateve të parapara. Madje, kryeredaktori i "Insajderit", Visar Duriqi, tha se Policia e ka marrë Ollurin në Stacion Policor për intervistim./Zëri