Deklarohet SHBA-ja për dokumentin slloven, që flet për “shpërbërjen përfundimtare” të ish-Jugosllavisë

Deklarohet SHBA-ja për dokumentin slloven, që flet për “shpërbërjen përfundimtare” të ish-Jugosllavisë

Aktuale April 15, 2021 - 14:45

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kundërshtojnë shpërbërjen e Bosnjë e Hercegovinës, aneksimin e një pjese të Republikës Serbe nga Serbia dhe bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, siç po thuhet në një dokument që e publikuan mediat sllovene.

Pyetjes së mediumit slloven 24UR rreth këtij dokumenti dhe përmbajtjes së tij iu përgjigj Ambasada e SHBA-së atje. Ata thanë se Shtetet e Bashkuara vlerësojnë shumë partneritetin afatgjatë me Bosnjë e Hercegovinën dhe se e mbështesin sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, i cili është i pranuar në Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit, shkruan “EkonomiaOnline”.

“Ne mbetemi të përkushtuar ndaj qëllimit të përbashkët të një Bosnjë e Hercegovine demokratike, gjithëpërfshirëse dhe të prosperuar në rrugën drejt integrimit euroatlantik”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës.

Në përgjigje ata gjithashtu theksuan se Shtetet e Bashkuara janë një mbështetëse e fortë e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor, që kërkojnë anëtarësim në organizatat euroatlantike.

“Ne jemi të bindur se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor qëndron në BE. Procesi i zgjerimit promovon paqen, stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë në të gjithë rajonin”, thuhet në përgjigje.

Sipas mediumit slloven, një dokument jozyrtar është dërguar nga kryeministri slloven Janez Jansha në Bruksel, i cili flet për kufij të ri të shteteve të ish-Jugosllavisë. Por askush deri më tani nuk e ka konfirmuar zyrtarisht që presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Charles Michel, e ka pranuar një dokument të tillë nga Sllovenia zyrtare.

Te pjesa e dokumentit jozyrtar ku flitet për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë përmendet se në Kosovë 95% e popullatës dëshiron bashkimin dhe se situatë e ngjashme është edhe në Shqipëri.

“1.) Bashkimi i Kosovës dhe i Shqipërisë. ‘Në Kosovë 95 për qind e popullsisë dëshiron të bashkohet me kombin vendas shqiptar të Shqipërisë. Situata është e ngjashme në Shqipëri. Kufiri midis Shqipërisë (një anëtar i NATO-s) dhe Kosovës është praktikisht inekzistent. Pjesa serbe e Kosovës do të marrë status special – duke ndjekur shembullin e Tirolit të Jugut. Është një provincë autonome në Italinë Veriore, ku shumica e popullsisë është gjermanishtfolëse”, thuhet në dokument.

Mediumi slloven, duke u thirrur në dokumentin në fjalë, thotë se “pjesa më e madhe e Republikës Serbe do të bashkohej me Serbinë, e cila do të zgjidhte në masë të madhe çështje kombëtare serbe”.

E në rast se ndodh kjo, sipas dokumentit, Serbia do të ishte e gatshme të mbështeste bashkimin me Shqipërinë.

Image