Haradinaj-Stublla kërkon reagimin e Kurtit për hartën me Kosovën e copëtuar

Haradinaj-Stublla kërkon reagimin e Kurtit për hartën me Kosovën e copëtuar

Aktuale April 15, 2021 - 09:56

Ish-ministrja e Punëve të Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla, ka kërkuar reagimin e kryeministrit Albin Kurti, pasi në disa media të shteteve të Ballkanit Perëndimor po qarkullon harta ku shihet Kosova pa komunat veriore.

Përmes një postimi në “Facebook”, Haradinaj-Stublla ka thënë se kjo hartë po ndjell ndjenjë të tmerrshme, siç thotë ajo, “sidomos në kohën kur Kosova po luftonte për të mos u coptuar”.

“Kjo hartë e ‘freskët’, e cila ka disa ditë që po qarkullon nëpër mediat e disa shteteve të Ballkanit Perëndimor, ndjell ndjenjë të tmerrshme tek më kujtohen ditët e 2018/2019 kur Kosova e vogël luftonte ‘e përçarë për së brendshmi’ për të mos u copëtuar”, ka shkruar ajo.

Po ashtu Haradinaj-Stublla thotë se kryeministri Kurti duhet t’i marrë më seriozisht dhe t’u japë përgjigje të prera këtyre kërcënimeve për sovranitetin e Kosovës.

“Harta të këtilla që qarkullojnë edhe jozyrtarisht duhet të na alarmojnë të gjithëve, e veçanërisht kryeministrin Kurti, të cilit edhe i takon ta udhëheqë dialogun me Serbinë, se duhet ta marrë ketë temë më seriozisht dhe t’u japë përgjigje të prerë të gjitha këtyre kërcënimeve për sovranitetin, integritetin territorial dhe paqen e stabilitetin në vendin tonë”, tha ajo.

Ajo thotë se në kohën kur bota po përballet me situatën ende të rëndë pandemike, me vështirësinë e qasjes së barabartë në vaksina, me dobësimin ekonomik e financiar në mbarë botën dhe me krizat e reja të sigurisë në Ukrainë, Afganistan, e Jemen që secilën ditë e më shumë po marrin vëmendjen e aleatëve tanë, “Kosova nuk e ka komoditetin të heshtë e të pretendojë se nuk i dëgjon e sheh këto diskutime, që po rikthehen me shpejtësinë e dritës, ngjashëm si para dy viteve”.

Sipas ish-ministres së Jashtme, kancelarja gjermane Merkel shumë shpejt do ta përfundojë mandatin dhe vendi ynë do ta ketë shumë të vështirë të gjejë një zë po aq të fuqishëm në Evropë për të kundërshtuar ide copëtuese të territorit të Kosovës.

“Nuk duhet të harrojmë që kancelarja Merkel shumë shpejt do të përfundojë mandatin e saj dhe Kosova do ta ketë shumë të vështirë ta gjejë një zë po aq të fuqishëm në Evropë, për të kundërshtuar e dështuar ide të tilla monstruoze që rrezikojnë sigurinë në Ballkan, rikthejnë tragjeditë e së kaluarës në rajonin tonë, rrezikojnë zhbërjen e disa shteteve të dala nga ish-Jugosllavia, duke hapur kutinë e Pandorës për rivizatimin e kufijve në të gjithë Ballkanin”, potencoi ajo.

“Nga përvoja e para dy viteve, kur Kosova u gjet përballë këtij rreziku fatal, reagimi i ashpër dhe i hershëm kundër kësaj ideje, ishte vendimtar në shuarjen e të gjitha shkëndijave që mëtonin të ndiznin zjarrin në Kosovë e rajon”, tha në fund, ish-ministrja e Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla. /Zëri

Image