Infektuar: 107497
Shëruar: 104054
Vdekur: 2245
Depresioni i tejzgjatur i çon njerëzit deri te vetëvrasja, “Linja e Jetës” jep ndihmën e parë për parandalim

Depresioni i tejzgjatur i çon njerëzit deri te vetëvrasja, “Linja e Jetës” jep ndihmën e parë për parandalim

Aktuale April 15, 2021 - 07:59
Image

Shumë persona në Kosovë vuajnë nga probleme mendore, por edhe pavarësisht kësaj nuk kërkojnë ndihmë si pasojë e paragjykimeve, shkruan Zeri.info.

Në vendin tonë tash e dy vjet ka nisur projekti “Linja e Jetës”, qendër kjo telefonike që ka për qëllim parandalimin e vetëvrasjeve. Në këtë linjë vullnetarë të trajnuar nga ekspertë ndërkombëtarë u përgjigjen telefonatave të personave, të cilët kanë mendime që i çojnë ata drejt vetëvrasjes.

Koordinatorja e këtij projekti, Dorentina Podrimqaku, në një intervistë për “Zërin” tha se ideja prapa këtij projekti është realizimi i një vendi ku njerëzit mund të bisedojnë për problemet e tyre me profesionalistë, pa paragjykime.

“Komplet ideja ka qenë që të ekzistojë një vend ku njerëzit munden të telefonojnë në një vend ku ka profesionistë që i dëgjojnë personat, edhe problemet që i kanë personat, d.m.th. një vend ku personat munden të bisedojnë dhe të dëgjojnë me empati edhe pa paragjykim dhe për këtë arsye kemi vendosur ta krijojmë ‘Linjën e Jetës’, për shkak se na e dimë sa e madhe është stigma në Kosovë për shëndetin mendor, edhe të shkohet të kërkohet ndihmë për shëndetin mendor. E kemi menduar që të ekzistojë një linjë telefonike, ku gjithçka është konfidenciale, ku personat nuk e dinë me kë janë duke biseduar për çfarëdo që kanë nevojë. Idenë e ka pasur Binde, edhe ai kur ka qenë në studime në Angli ka punuar në një linjë të tillë, edhe kur është kthyer në Kosovë e ka parë që nuk po ekziston diçka e tillë, edhe mandej kemi biseduar, edhe e kemi kuptuar se sa e rëndësishme është të ekzistojë një vend te ne, sidomos te ne kur e dimë që është stigma më e madhe që më përpara shkojmë kudo sesa te një psikolog ose të merret ndihma që i duhet e për këtë e kemi pasur shumë të nevojshme që të ekzistojë diçka e tillë”, tha Podrimqaku gjatë kësaj interviste.

Koordinatorja e “Linjës së Jetës” deklaron se mënyra e ndihmës të cilën ua dhurojnë personave që telefonojnë konsiderohet si ndihmë e parë.

“Ne nuk jemi një qendër që japim këshilla, ne jemi një vend që e konsiderojmë veten si linja e parë ndihmëse, d.m.th. është hapi i parë që personat të dinë që mund të shkojnë të kërkojnë ndihmë. Hapi i parë të shkojnë të bisedojnë me dikë që i kupton, edhe të kërkojnë ndihmë, mandej zakonisht gjatë përfundimit të telefonatës ne ua japim një numër të psikologut ku ata mund të shkojnë dhe të marrin ndihmën afatgjate. Ne jemi këtu për persona që nuk kanë ditur si të kujdesen për shëndetin e tyre mendor, mënyrat e menaxhimit të ankthit ose ndonjëherë vetëm të bisedojnë me dikë, sepse mendojnë që nëse u tregojnë familjarëve ose shoqërisë çka po kanë problem ose s’po ndihen mirë mund të paragjykohen”, thotë ajo, derisa thekson se psikologët të cilët i sugjerojnë janë privatë.

Podrimqaku deklaron se të gjithë personat të cilat kontaktojnë këtë qendër janë të lirë të zgjedhin nëse duan të japin të dhënat e tyre personale ose jo, madje thekson se si qendër janë konfidencialë në lidhje me problemet të cilët njerëzit kontaktojnë këtë qendër.

“Është në dorën e tyre prezantimi dhe qysh duan të vazhdojë thirrja, mirëpo nuk është që ne u themi të prezantohen. Një gjë që ata nuk e dinë është se më kë janë duke biseduar, d.m.th. vullnetari është konfidencial, mirëpo edhe personat zakonisht nuk prezantohen, por nëse ndihen rehat të tregojnë emrin, atëherë është krejt në rregull. Kemi pasur telefonata të llojllojshme me probleme të ndryshme. Nuk mund të specifikoj ndonjë problem për shkak të thirrjeve, të cilat janë shumë konfidenciale dhe nuk dëshirojmë t’i bëjmë publike. Ndonjë thirrje mund të mos jetë shumë e tmerrshme te të tjerët, por mund të jetë e tmerrshme për personin që e pranon thirrjen, e pranon shumë rëndë”, u shpreh ajo.

Pandemia në rastin e “Linjës së Jetës” ka ndikuar me shtim të thirrjeve, pasi para pandemisë Podrimqaku thotë se nuk telefononin shumë njerëz.

“Në pandemi kemi pasur thirrje nga persona të cilët kanë qenë në ankth për shkak se e dimë çfarë frike ka qenë pandemia dhe virusi, për shkak se nuk kemi pasur informata të shumta për të. Kemi pasur edhe raste kur na kanë thirrur të na falënderojnë për shkak se u kemi treguar si të kujdesen për veten. Kemi pasur gjithçka, jemi të lumtur se e kemi parë që përnjëmend po ka ndikim dhe njerëzit po ndihen rehat dhe po telefonojnë, kjo është e rëndësishme”, thotë ajo.

Javë më parë këngëtarja Dafina Zeqiri publikoi një këngë të titulluar “Duro”, përmes së cilës tregoi haptazi se kishte pasur probleme mendore, projekt që erdhi në bashkëpunim me projektin “Linja e Jetës”.

Podrimqaku thotë se kjo këngë ua hapi dyert shumë qytetarëve që të telefononin këtë linjë dhe të flisnin haptazi për problemet e tyre.

“Dafina na ka telefonuar neve që të kemi bashkëpunimin për këngën ‘Duro’. Kontributi i saj ka qenë shumë i madh, për shkak se kur një artiste e madhe si Dafina del publikisht dhe tregon se ka pasur probleme të shëndetit mendor, edhe ka shkuar të marrë ndihmë, ajo ka një audiencë shumë të madhe që e ndjek edhe po besoj që e ka hapur derën që njerëzit të kërkojnë ndihmën që kanë nevojë. Definitivisht nuk ka ndikuar veç te njerëzit, por edhe te artistët e tjerë që ia kanë nisur edhe ata të flasin dhe të tregojnë që edhe ata kanë pasur probleme mendore. Gjithashtu ka rritur goxha shumë numrin e personave që na kanë telefonuar për të biseduar me neve edhe mandej të merret ndihma afatgjate”, deklaroi koordinatorja e këtij projekti për “Zërin”.

Ajo theksoi se linja për momentin punon prej orës 18:00 deri në orën 02:00 e që së shpejti do të mundohen të zgjasin orarin deri në 24 orë në ditë, derisa janë 50 persona në staf në pozicion të thirrjeve telefonike.

Sipas sociologut Genc Xërxa, telefonatat në “Linja e Jetës” shpeshherë nuk bëhen, pasi përveç paragjykimeve në shoqëri, disa e kanë të vështirë të rrëfehen për problemet e tyre.

“Personat në nevojë kanë frikë të telefonojnë se mendojnë që mund të paragjykohen ose stigmatizohen nga rrethi nëse merret vesh. Disa e kanë edhe të vështirë të rrëfehen për problemet e tyre personale, ashtu që hezitojnë. Shkaqet mund të jenë të natyrave të ndryshme, psikologjike, arsimore, informuese, traditore ose rrethanore”, thotë Xërxa për “Zërin”.

Ajo çfarë i çon disa persona drejt vetëvrasjes, sipas tij, është depresioni i tejzgjatur ose kronik.

“Vetëvrasja është një fenomen më shumë i natyrës psikologjike të një depresioni të tejzgjatur ose kronik, ku individi e sheh boten e tij mjaft të errët, pa shpresë dhe pa rrugëdalje nga problemet ose shqetësimet që ka. Kjo është rruga më ekstreme e zgjidhjes se problemeve që disa i ndërmarrin, kur nuk shohin rrugëdalje nga telashet e tyre, qofshin sociale, ekonomike a shëndetësore”, përfundon sociologu Genx Xërxa.

Me “Linjën e Jetës” mund të kontaktoni në numrin pa pagesë: 080012345. Po ashtu mund ta gjeni edhe në rrjetet sociale Facebook dhe Instagram. /Zëri