Avokati i Qeverisë: Dëmet që 10 veteranët e luftës akuzohen se ia shkaktuan Qeverisë janë 400 euro

Avokati i Qeverisë: Dëmet që 10 veteranët e luftës akuzohen se ia shkaktuan Qeverisë janë 400 euro

Aktuale April 14, 2021 - 16:01

Në rastin ku 10 veteranët e luftës, Xhevdet Qeriqi, Muhamed Kuka, Zymer Ahmeti, Fahri Zeqiri, Arsim Hopp, Skënder Llugiqi, Ekrem Xheladini, Nusret Azemi, Bahti Danushi dhe Driton Sadiku, po akuzohen për asgjësim apo dëmtim të pasurisë të kryer në bashkëkryerje, përfaqësuesi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, avokati Bedri Krasniqi ka sjellë prova lidhur me vlerën e dëmit të shkaktuar, ashtu siç ishte obliguar në seancën e kaluar nga gjykata.

Në seancën e paraparë të mbahej të mërkurën, avokati Krasniqi ka bërë të ditur se dëmet e shkaktuara ndaj Qeverisë të Republikës së Kosovës arrijnë vlerën 400 euro, pasi që sipas tij, Qeverisë i janë dëmtuar dera lëvizëse, motori i derës, xhamat e kioskës dhe rrethojat e metalit para hyrjes së ndërtesës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në bazë të të dhënave që kam, gjatë protestës së veteraneve sipas akuzës së prokurorit të shtetit, të dëmtuarës Qeverisë së RKS-i është dëmtuar dera lëvizëse e metalit, motori i derës, xhamat e kioskës dhe rrethojat e metalta të ndërtesës se hyrjes së Qeverisë. Në bazë të të dhënave të grumbulluara, e dëmtuara ka paguar vetëm motorin lëvizës të derës së hyrjes që ka vlerën prej 400 euro, ndërkaq punët i kanë kryer pjesëtarët e sigurimit, pa kompensim”, tha ai.

Sa i përket veturës së dëmtuar e cila është e cekur në aktakuzë, avokati Krasniqi ka thënë se është gjetur se kjo veturë nuk është pronë e Qeverisë së Kosovës dhe për të njëjtën nuk kanë informacione se kujt i përket ajo.

Lidhur me këtë, gjykatësja Krasniqi e ka obliguar prokurorin Menduhi Kastrati që të vërtetojë faktin se kush është pronar i veturës, të kërkoj prova për vlerën e dëmit të shkaktuar ndaj kësaj veture dhe pastaj ta njoftojë gjykatën përmes një parashtrese.

Mirëpo, meqenëse në seancën e së mërkurës nuk ka prezantuar asnjëri nga 10 të akuzuarit, është shtyrë seanca fillestare ndaj tyre.

Gjykatësja Lumnije Krasniqi, lidhur me mungesën e të akuzuarve Qeriqi, Kuka, Ahmeti, Zeqiri, Danushi, Azemi, Sadiku, ka thënë se kanë qenë të njoftuar në seancën e kaluar, por që mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për të akuzuarin Llugiqi gjykata ka njoftuar se i njëjti ka qenë i njoftuar me ftesë, por që nuk është prezantuar në gjykatë.

Ndërsa për të akuzuarin Xheladini, gjykatësja ka thënë se gjykata nuk ka prova se është ftuar në mënyrë të rregullt, pasi që nuk është kthyer fletëkthesa.

Sa i përket mungesë së të akuzuarit Hopp, mbrojtësja e tij, avokatja Zahide Gjonaj ka njoftuar se i mbrojturi i saj është i sëmurë, për të cilin gjykatës i ka dorëzuar edhe prova.

Meqenëse nuk kishte kushte për t'u mbajtur kjo seancë, gjykatësja Krasniqi e ka shtyrë atë në kohë të pacaktuar, deri në sigurimin e të dhënave nga ana e prokurorisë.

Ndryshe, në këtë rast i akuzuar ka qenë edhe Gj.M për të cilin gjykata e kishte pushuar procedurën penale, pasi që ishte njoftuar se i njëjti ka ndërruar jetë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 2 tetor 2017, kishte ngritur aktakuzë ndaj Nusret Azemit, Driton Sadikut, Xhevdet Qeriqit, Arsim Hopp, Skënder Llugiqi, Bahti Danushi, Muhamed Kuka, Ekrem Xheladini, Zymer Ahmeti, Fahri Zeqiri, dhe tani i ndjeri Gj.M, të cilët i akuzon se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë”, nga neni 333, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Në aktin akuzues thuhet se të akuzuarit, më 7 gusht 2015, në sheshin “Skënderbeu”, në afërsi të ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, gjatë protestës së organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës, ndaj pakënaqësive të tyre lidhur me procesin e verifikimit dhe daljes së rezultateve nga procesi i verifikimit së veteranëve të luftës, me dashje në bashkëkryerje kanë dëmtuar pasurinë e Qeverisë së RKS-së.

Siç thuhet në aktakuzë, të akuzuarit, fillimisht kanë dëmtuar derën lëvizëse të hyrjes së objektit të Qeverisë, më tej me mjete të përshtatshme thyejnë xhamin e kabinës së portës hyrëse dhe poashtu kanë dëmtuar automjetin e tipit “Xhip” që ndodhej në hapësirën e oborrit të objektit qeveritar, me ç’rast të dëmtuarës (Qeverisë) i shkaktojnë dëm material. /Betimiperdrejtesi