Kosnetti Mehajt: Me armatën e SHBA-së dhe Gardën Kombëtare të Ajovës do ta mbështesim FSK-në

Kosnetti Mehajt: Me armatën e SHBA-së dhe Gardën Kombëtare të Ajovës do ta mbështesim FSK-në

Aktuale April 14, 2021 - 15:06

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, premtoi se vendi i tij, përmes bashkëpunimit me armatën e SHBA-së, Gardën Kombëtare të Ajovës dhe programet e tjera, sikur edhe deri më tash, do të vazhdojë partneritetin me Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK-në.

Këto komente ai i bëri gjatë një takimi që zhvilloi me ministrin e Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Në njoftimin për media nga MB-ja thuhet se Mehaj i theksoi Kosnettit se mbështetja e deritashme e SHBA-së ka qenë jetike në zhvillimin e aftësive dhe kapaciteteve operuese të ndërveprueshme me forcat aleate të vendeve partnere dhe anëtare të NATO-s, që u kurorëzua edhe me pjesëmarrjen e kontingjentit të parë të FSK-së në misionin e parë jashtë vendit së bashku me forcat ushtarake amerikane.

Ai e njoftoi ambasadorin amerikan edhe me objektivat kryesore të tij si ministër, duke shprehur vullnetin për realizimin e tyre në bashkëpunim dhe në koordinim të plotë me SHBA-në dhe vendet e tjera partnere.

Po ashtu Mehaj tha se FSK-ja është dhe do të jetë forcë profesionale me vlera dhe standarde të vendeve të NATO-s nën kontrollin civil demokratik dhe gjithnjë në shërbim të të gjithë qytetarëve të vendit, pa dallim dhe në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë rajonale dhe më gjerë.

Në fund, të dy ishin të një qëndrimi që të intensifikohet edhe më tej bashkëpunimi bilateral në mes të dy vendeve partnere në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. /Zëri