QKRMT: 345 raste të dokumentuara të dhunës seksuale gjatë luftës, 11% nën 18 vjeç

QKRMT: 345 raste të dokumentuara të dhunës seksuale gjatë luftës, 11% nën 18 vjeç

Aktuale April 14, 2021 - 14:47

Nga 345 raste të dokumentuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, 11 për qind e rasteve kanë ndodhur kur viktimat kanë qenë nën moshën 18-vjeçare.

Këto të dhëna janë bërë të ditura në publikimin e raportit “E drejta për të vërtetën – ‘Viktimat pa emër’”, i publikuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

Fatmire Haliti, udhëheqëse e këtij raporti, tha që të dhënat janë mbledhur nga 345 të mbijetuar të dhunës seksuale në Kosovë.

“Gjatë këtij grumbullimi janë intervistuar 345 të mbijetuar dhe vlen të ceket që 11% e rasteve që janë evidentuar dhe që në kohën e përjetimit të dhunës seksuale janë nën moshën 18-vjeçare”, tha Haliti, raporton EO-ja.

“Nga 345 rastet e dokumentuara, 325 janë gra e vajza dhe 20 janë burra e djem. Nga rastet e dokumentuara, 6% e viktimave i përkasin komunitetit joshumicë (rom, boshnjak, ashkali e egjiptian), 11% e rasteve të dokumentuara janë fëmijë, të cilët në kohën e përjetimit të dhunimit seksual ishin nën moshën 18-vjeçare. Dhunimet gjatë luftës më shumë kanë ndodhur në fshatra sesa në qytete (63% në fshatra, ndërsa 37% në qytete)”, tha ajo.

Drejtoresha ekzekutive e QKRMT-së, Feride Rushiti, tha se qëllimi i publikimit të këtij dokumentimi ka ardhur si pasojë e mungesës së punës dhe dëshirës për këtë grumbullim nga institucionet.

“Është i rëndësishëm ky grumbullim, pasi institucionet kanë dështuar në grumbullimin e këtyre të dhënave që më vonë pastaj t’u shërbejnë edhe gjeneratave të ardhshme që të dinë për të kaluarën e luftës dhe dhunën e bërë”, tha Rushiti.

Këtë dokumentim qytetarët mund ta shohin në detaje përmes platformës online në faqen e QKRMT-KRCT-së.

Rushiti tha publikimi i sotëm ka përkuar pikërisht më datën 14 prill, kur është dhunuar Vasfije Krasniqi 22 vjet më parë, datë të cilën presidentja Osmani e shpalli si Ditë e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës së Fundit në Kosovë.