“Dokumenti sekret” mbi “shpërbërjen përfundimtare të ish-Jugosllavisë” trondit rajonin, përmendet edhe ndryshimi i kufijve të Kosovës

“Dokumenti sekret” mbi “shpërbërjen përfundimtare të ish-Jugosllavisë” trondit rajonin, përmendet edhe ndryshimi i kufijve të Kosovës

Aktuale April 13, 2021 - 09:41

Skena politike në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Slloveni është tronditur nga lëvizjet e pretenduara të udhëheqjes shtetërore sllovene, pasi pretendohet se kjo e fundit e ka vizionin e kompletimit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Sipas mediave në Bosnjë dhe Hercegovinë, duke cituar burime të paemërtuara në Bruksel, kryeministri slloven Janez Jansha ia ka dorëzuar presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, një dokument mbi prioritetet e Presidencës sllovene të BE-së, në të cilat, siç thuhet, janë përcaktuar udhëzimet mbi “shpërbërjen përfundimtare të ish-Jugosllavisë”, raporton gazeta kroate “Jutarnji.hr”.

Me këtë, siç shkruan “B92”, pretendohet se Jansha donte të informonte kreun e KE-së për një nga prioritetet e Presidencës së Bashkimit Evropian, të cilin do ta marrë Sllovenia nga 1 korriku i këtij viti.

Nga Brukseli aktualisht arrijnë informacione kontradiktore për ekzistencën e dokumentit të diskutueshëm.

Korrespondenti i gazetës sllovene “Delo” nga Brukseli, Peter Zherjaviq, njoftoi në llogarinë e tij në “Twitter” se i është konfirmuar nga zyra e Charles Michelit se ai kishte marrë “non – paper” nga Jansha, por që pas më pak se gjysmë ore gjërat ndryshuan: “Nuk mund të konfirmojmë që kemi marrë ‘non-paper’”, kanë thënë nga Brukseli, përcjell “Telegarfi”.

Gjithçka filloi me artikullin e portalit të BeH “Politicki.ba”, për të cilin thuhet se është i lidhur me komunitetin lokal të inteligjencës, i cili njoftoi se Jansha angazhohet në favor të ndryshimit të kufijve të Serbisë dhe Kosovës sipas planit Vuçiq - Thaçi, i cili ishte në opsion vitin që shkoi derisa Donald Trump ishte presidenti i SHBA-së, por ai u kundërshtua fuqimisht nga Gjermania, shkruan gazeta kroate “Jutarnji.hr”.

Në këtë artikull thuhet se Jansha ka shkuar një hap tutje, duke parashikuar mundësinë e shkëputjes së Republikës Srpska, bashkimit të pjesëve të Malit të Zi dhe Maqedonisë Veriore me shumicën shqiptare në Shqipëri dhe bashkimi i Hercegovinës Perëndimore me Kroacinë.

Një variant rezervë i planit të pretenduar të Janshës është formimi i tri republikave kombëtare në Bosnjë dhe Hercegovinë. Serbia dhe Kroacia, sipas portalit “Politicki.ba”, do të kishin lidhje të ngushta me vendet e tyre amë, ndërsa Republika Boshnjake do të fitonte një korridor sipas ujërave ndërkombëtare detare, që do të garantohej nga NATO-ja.

Mediumi i njëjtë Janshën e paraqet si zëdhënësin më të zëshëm të “përfundimit të rënies së ish-Jugosllavisë”, duke thënë se ka kohë që ai e shtyn përpara konceptin e “Serbisë së madhe” dhe “Shqipërisë së madhe”.

“Potpora Hrvatske, Mawarske, Poljske...”

“Politicki.ba” shton po ashtu se kryeministri slloven nuk është i vetëm në përpjekjet e tij që t’i ridefinojë kufijtë në Ballkan dhe se për këtë ka mbështetjen e Hungarisë, Kroacisë dhe Polonisë, ndërsa këtij plani dritën jeshile ia kanë dhënë edhe Austria e Franca. Kujtojmë se ky i fundit kishte shprehur neutralitet gjatë bisedimeve Vuçiq - Thaçi, shkruan më tej “Jutarnji”.

Shkrimi i këtij mediumi nga BeH ndoshta nuk do të kishte jehonë sikur mos ta ngrehte në një nivel më të lartë anëtari i Presidencës së BeH, Zhelko Komshiq, nga zyra e të cilit ftuan në bisedë ambasadoren sllovene në BeH, Zorica Bukinac.

Këtë ata e bënë, mes tjerash, edhe për shkak të qëndrimit të mëhershëm të presidentit slloven, Borut Pahor, gjatë qëndrimit të tij të paradokohshëm në BeH, i cili, sipas deklarimeve të Komshiqit, më 5 mars në Sarajevë, ai i kishte pyetur anëtarët e Presidencës trepalëshe në lidhje me ndarjen e këtij shteti.

“Kohët e fundit ka pasur gjithnjë e më shumë zëra në Evropë që shpërbërja e Jugosllavisë duhet të përfundojë. A mund të shpërndaheni paqësisht në BeH?”, është kjo pyetja që Pahori pretendohet t’ua ketë bërë Milorad Dodikut, Shefik Gjaferoviqit dhe Zhelko Komshiqit, të cilët më vonë konfirmuan se kjo ndodhi vërtet.

Megjithatë, ata i janë përgjigjur Pahorit se nuk ka asgjë nga ndarja paqësore, respektivisht shpërbërja e Bosnjës e Hercegovinës, ndërsa Dodik [kryetari i Republikës Srpska dhe anëtari i Presidencës së BeH] konfirmoi se beson në atë mundësi, përcjell Telegrafi.

Në takimin e mbajtur ambasadorja sllovene e siguroi Komshiqin se politika e Sllovenisë ndaj BeH ka ndryshuar dhe se Sllovenia mbështet rrugën evropiane të këtij vendi në përmbushjen e kushteve për t’u anëtarësuar në BE, raporton “Radio Sarajevo”.

Nga zyra e presidentit slloven Borut Pahor njoftuan se presidenti nuk ishte i informuar me përmbajtjen e pretenduar të këtij “non –paper”-i, të cilën pretendohet se kryeministri slloven Jansha ia ka dorëzuar presidentit të Këshillit Evropian, Michel.

“Meqenëse ai [Pahor] nuk e di përmbajtjen, nuk mund ta komentoj atë. Ndryshe presidenti Pahor është një avokues i BeH, integritetit të saj territorial, perspektivës evropiane dhe zhvillimit paqësor, të cilin gjithmonë e thekson”, thanë nga kabineti i Pahorit, duke shtuar se presidenti slloven nuk mbështet shpërbërjen e Bosnjë e Hercegovinës, por mbështet pranimin e saj në Bashkimin Evropian sa më shpejt të jetë e mundur.

Jansha tashmë u është përgjigjur shkrimeve në media, duke shkruar në mediat sociale se presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, për herë të fundit e ka takuar vitin e kaluar dhe se për këtë arsye do të ishte e vështirë t’i dorëzojë diçka fizikisht në shkurt ose mars të këtij viti.

Jansha thekson se Sllovenia po kërkon zgjidhje për zhvillimin e rajonit dhe perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, “por që artikuj të tillë [në media] po përpiqen të parandalojnë atë qëllim”.

Në ndërkohë portali slloven “24ur” raportoi se kishte marrë konfirmimin se dokumenti i diskutueshëm sekret vërtet ekziston, por supozohet se ai ishte dërguar jashtë kanaleve të zakonshme diplomatike.

“As përfaqësuesit më të lartë sllovenë në Bruksel nuk e kanë parë atë”, shkruan “24ur”.

Disa burime madje pretendojnë se dokumenti do të rregullonte kthimin e ish-kryeministrit të Maqedonisë Veriore Nikola Gruevski nga azili në Hungari.

Ministria sllovene e Punëve të Jashtme i tha agjencisë së lajmeve STA se kishte parë vetëm një “non – paper” për Ballkanin Perëndimor, bëhet fjalë për atë dokumentin kroat nga fundi i vitit të kaluar, i cili në asnjë mënyrë nuk ka të bëjë me ndonjë ndryshim të kufijve.

Eurodeputetët sllovenë, Klemen Groselj dhe Irena Joveva, deklaruan se Sllovenia duhet fillimisht të mbështesë procesin e mëtejshëm të integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe të luajë rolin e një ndërmjetësi të sinqertë në përputhje me vlerat, parimet, traktatet dhe marrëveshjet evropiane, pa dashur për të ndryshuar kufijtë midis shteteve në rajon.