Kurti u përgjigjet kritikëve, thotë se gjatë vikendit kanë hartuar programin qeverisës për katër vjet

Kurti u përgjigjet kritikëve, thotë se gjatë vikendit kanë hartuar programin qeverisës për katër vjet

Aktuale April 12, 2021 - 11:08

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se të shtunën dhe të dielën, përgjatë katër sesioneve të ndara, bashkë me të 17 anëtarët e kabinetit qeveritar, kanë zhvilluar punëtorinë për hartimin e programit qeverisës dhe planin e veprimit për katër vjetët e ardhshëm të qeverisjes.

Në këtë punëtori, sipas tij, janë përcaktuar qëllimet strategjike, objektivat operuese dhe masat që do të ndërmerren, transmeton Zeri.info.

“Të shtunën dhe të dielën, përgjatë katër sesioneve të ndara, bashkë me të 17 anëtarët e kabinetit qeveritar, zhvilluam punëtorinë për hartimin e programit qeverisës dhe planin e veprimit për katër vjetët e ardhshëm të qeverisjes sonë. Qëllimet strategjike, objektivat operacionale dhe masat që do të ndërmerren u prezantuan dhe u shqyrtuan gjerësisht”, ka shkruar Kurti

Ai tha se së shpejti këto dokumente, që përcaktojnë qartë prioritetet në çdo fushë bashkë me punët drejt realizimit të tyre, do të finalizohen edhe teknikisht dhe do të dalin në Qeveri për votim e në Kuvend për diskutim.

“Qytetarët kanë votuar për ndryshim. Me vullnetin e tyre ata kanë mundësuar ndryshimin, kurse me punën tonë, Qeveria jonë do ta jetësojë ndryshimin. Programi ynë qeverisës do të reflektojë kërkesat, të drejtat dhe nevojat e qytetarëve, për përmbushjen e të cilave ne do të angazhohemi me përkushtim”, ka shkruar kreu i Qeverisë.

Kryeministrit Kurti është kritikuar ditëve të fundit që është angazhuar bashkë me anëtarët e partisë së tij, deputetë e ministra, për zgjedhjet në Shqipëri, ku subjekti i tij politik, Dega në Shqipëri, po garon me tre kandidatë për deputetë. Ai madje u krahasua edhe me Aleksandar Vuçiqin, presidentin e Serbisë, duke e ndërlidhur rastin e tij në Shqipëri me të Vuçiqit në Kosovë përmes Listës Serbe. /Zëri