Infektuar: 105864
Shëruar: 96322
Vdekur: 2195
Drejtori i Shëndetësisë kërkon monitorim të Spitalit të Vushtrrisë pasi për 4 ditë vdiqën 7 pacientë me COVID

Drejtori i Shëndetësisë kërkon monitorim të Spitalit të Vushtrrisë pasi për 4 ditë vdiqën 7 pacientë me COVID

Aktuale April 11, 2021 - 18:08

Gjendja me pandeminë në Vushtrri paraqitet si e rëndë, pasi atje për katër ditë kanë vdekur shtatë persona me COVID-19.

Sipas Drejtorit komunal të shëndetësisë në Vushtrri, Sylejman Meholli, komuna e tij radhitet pas Prishtinës me numrin më të lartë të vdekjeve nga COVID-19, transmeton Zeri.info.

Meholli për këtë ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë një monitorim dhe auditim klinik të Spitalit të Përgjithshëm të Vushtrrisë.

Shkrimi i plotë i Mehollit:

Në 4 ditët e fundit kemi 7 raste të vdekjes nga Covid 19 në Komunën e Vushtrrisë, vetëm Komuna e Prishtinës me aq shumë banorë dhe aq shumë raste pozitive ka më shumë vdekje nga Covid 19 sesa Vushtrria për këtë periudhë!

Në përgjithësi në javët e fundit në komunën tonë përqindja (%) e vdekshmërisë (mortalitetit) nga Covid 19 është mbi mesataren që e karakterizon këtë sëmundje kudo në botë, por edhe në Kosovë!

Vetëm gjatë muajit mars Vushtrria ka humbur 16 qytetarë nga Covid 19, kurse në 11 ditët e para të prillit kemi humbur po aq qytetarë (11). Derisa kemi qytetet milionshe si Londra që po regjistron ditë pa as një rast të vdekjes, pas fillimit të vaksinimit!

Në një situatë të tillë përveç angazhimit më të madh të zbatimit të masave preventive anti Covid 19 nga autoritetet lokale, një monitorim dhe auditim klinik i Spitalit të Përgjithshëm të Vushtrrisë nga Ministria e Shëndetësisë duket i domosdoshëm!