Presidentja Osmani u “gozhdua” se nuk e përmendi UÇK-në, por jo edhe Haradinaj, Hoxhaj e Kurti që vepruan ngjashëm

Presidentja Osmani u “gozhdua” se nuk e përmendi UÇK-në, por jo edhe Haradinaj, Hoxhaj e Kurti që vepruan ngjashëm

Aktuale April 10, 2021 - 13:32

22-vjetori i Betejës së Koshares, dhe asaj të Kaçanikut bëri bashkë krerë institucionalë e partiakë të cilët bënë homazhe e shprehen nderimin e lavdinë duke kujtuar dëshmorët e vendit, raporton Zeri.info.

Përveç homazheve në Koshare me një postim në Facebook, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se liria mori kuptim kur trimat e Brigadës 138, e vulosën përfundimisht lirinë e vendit, shtruan bazament të fortë për të ardhmen, shtetin dhe kujtesën historike.

Por, ndaj Osmanit kanë vërshuar dje reagime të shumta, pasi që kjo e fundit është akuzuar për mospërmendje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në postimin për përvjetorin e Koshares si dhe betejës së Kaçanikut.

Mirëpo, presidentja Osmani nuk është e vetmja që në deklaratën e saj për përvjetorin e Betejës së Koshares nuk përmendi UÇK-në.

Ndonëse është e vetmja që dje u "gozhdua" pse UÇK-ja si emërtim i luftës çlirimtare nuk ishte përfshirë në fjalimin e saj.

Po dje në deklarimet e tyre për përvjetorin e Betejës së Koshares, si dhe Kaçanikut, UÇK-ja nuk është përmendur as në postimin e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, të parit të PDK-së Enver Hoxhaj dhe as nga Jashar Ramadani, vëllai i heroit Agim Ramadani, si dhe as në një postim të kryeministrit Albin Kurti.

Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj pa përmendur UÇK-në ka thënë: “Njëzetedy vite më parë, u shemb me luftë kufiri mes Kosovës e Shqipërisë, i vendosur padrejtësisht për dekada me radhë. Në rrugën tonë drejt lirisë, kemi pasur shumë vuajtje e sakrifica, por kemi dëshmuar edhe trimëri, guxim e vendosmëri. Ëndrra e shumë brezave u realizua në Luftën Çlirimtare, fal atyre që pa hezitim ia falën jetën Atdheut. Përulemi para gjakut të Heronjve të Brigadës 138 “Agim Ramadani”.

 

Edhe kryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj nuk përmendi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në shkrimin e tij në Facebook për 28 dëshmorët e 32 martirët në Kaçanik.

“22 vite më parë, në Kaçanik, duke i dhënë goditjen e fundit armikut, në “Lagjen e Re” dhe në Rakoc ranë heroikisht 28 dëshmorë të kombit dhe 32 martirë. Sot, me nder dhe krenari kujtojmë të gjithë ato gra e ata burra nga qyteti ynë i rezistencës e historisë, që refuzuan të nënshtrohen para një pushtuesi kriminal, duke mos kursyer as jetën e tyre për çlirimin e vendit. Lavdi të përjetshme dëshmorëve dhe martirëve tanë”, ka shkruar Hoxhaj.

 

Po ashtu edhe Jashar Ramadani vëllai i dëshmorit Agim Ramadani dje ka shkruar për 22 vjetorin e Epopesë së Kosharës, por i njëjti po ashtu nuk e përmendi UÇK-në.

“Sot shënojmë 22 vjetorin e Epopesë së Koshares, të heqjes me luftë të kufirit shqiptaro – shqiptar që kishte ndarë kombin Shqiptar më se një shekull. Madhështia e Epopejës së Koshares përmban fshirjen e lëshimeve historike që janë bërë në kohëra të ndryshme. Luftëtarët e Koshares të udhëhequr nga Komandantët profesionist të artit të luftës që ishin të brumosur me intelektualizëm, patriotizëm e atdhedashuri, ishin të pathyeshëm të gjithë si një, në arritjen e këtij qëllimi dhe prishjen e integritetit territorial të së ashtuquajturës Jugosllavi të mbetur. Jeni histori e ndritur”, ka thënë Jashari.

 

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot është kritikuar për mospërmendjen e UÇK-së në shkrimin e tij në Twittër për 22 vjetorin e Epopesë së Kosharës.

 

 

Ndaj shkrimit të Kurtit ka reaguar sot aktivisti shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ish-ushtari i Batalionit Atlantiku, Uk Lushi, duke iu drejtuar kryeministrit të vendit, Albin Kurti.

Lushi ka thënë se burrat dhe gratë e UÇK-së nuk janë të paemër, sipas tij ata kishin një emër, teksa i thotë Kurtit se nuk duhet hezituar për ta përmendur Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“z. Kryeministër Albin Kurti, “burrat dhe gratë e guximshme” s’janë të paemër, e kishin një emër: UÇK. Mos hezito që ta thuash, ta shkruash dhe ta nderosh EMRIN TONË MË KRENAR. Ne nuk ishim burra e gra të paemër. Ne ishim Ushtria Çlirimtare e Kosovës, UÇK”, ka shkruar Lushi në kundërpërgjigjen e tij për kryeministrin Kurti./Zëri