Borrelli uron Kurtin: Lufta ndaj pandemisë prioritet kryesor, BE-ja i qëndron pranë Kosovës

Borrelli uron Kurtin: Lufta ndaj pandemisë prioritet kryesor, BE-ja i qëndron pranë Kosovës

Aktuale April 09, 2021 - 19:19

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar letër urimi nga Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell, njëherësh nënkryetar i Komisionit Evropian.

Në një njoftim për media nga zyra e kryeministrit thuhet se Borrelli i ka thënë Kurtit se Bashkimi Evropian ka qëndruar fort pranë Kosovës dhe popullit të saj në luftën kundër pandemisë COVID-19.

“Kjo luftë do të mbetet një prioritet kryesor për të ardhmen e parashikueshme. Ne gjithashtu duam ta shohim Kosovën teksa përparon në rrugën e saj evropiane. Do të nevojiten përpjekje të vendosura për reforma, për të forcuar sundimin e ligjit në Kosovë dhe për të promovuar zhvillimin socio-ekonomik. Bashkimi Evropian është i gatshëm t’ju mbështes në këtë drejtim”, ka shkruar Borrelli.

Në vazhdim të letër urimit, përfaqësuesi i lartë i BE-së ka thënë se kthimi i perspektivës evropiane të Kosovës në një realitet për qytetarët e saj, gjithashtu kërkon një vazhdim të shpejtë të dialogut Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja dhe normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Serbinë.

“Unë kam dëshirë që t’ju pres për takimin e ardhshëm të nivelit të lartë të dialogut sa më shpejtë të jetë e mundur dhe qëndroj fort i vendosur për të ndihmuar të dy palët të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, ka thënë Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell. /Zëri