Konjufca: Beteja e Koshares ishte shigjeta jonë e çlirimit dhe lirisë
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, së bashku me presidenten Vjosa Osmanin dhe kryeministrin Albin Kurtin kanë bërë sot homazhe në kompleksin memorial në Koshare, në nderim të 114 dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pas homazheve, Konjufca tha se Beteja e Koshares, e 9 prillit 1999, është ndër momentet më të rëndësishme të luftës së UÇK-së.
“Jemi këtu për t’u përkulur para sakrificës së dëshmorëve të Betejës së Koshares. Në vitin 1999, pikërisht më 9 prill, filloi Beteja e lavdishme e Koshares, e cila ishte shigjeta jonë e çlirimit dhe e lirisë. Në krye me heronjtë e Kosovës, Agim Ramadani e Sali Çekaj dhe me shumë luftëtarë dhe dëshmorë, të cilët e dhanë jetën për çlirimin e Kosovës, Beteja e Koshares është një ndër momentet më të rëndësishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ka thënë kryeparlamentari Konjufca, duke shtuar se “Brigada 138” shembi gurin e kufirit dhe përmes kësaj dha shembullin se kombi shqiptar është një.
“Fakti që kjo ditë koinçidon me ditën e Kushtetutës së Kosovës është simbolikë e çlirimit të Kosovës”, theksoi kryetari i Kuvendit, Konjufca. /Zëri