Infektuar: 97996
Shëruar: 82064
Vdekur: 1988
Zyra për Informim e Obiliqit ia promovon Iniciativën e re kryetarit Gashi

Zyra për Informim e Obiliqit ia promovon Iniciativën e re kryetarit Gashi

Aktuale April 08, 2021 - 18:57
Image

Keqpërdorimi i pozitës zyrtare si term dëgjohet shpesh në vendin tonë e këtë e bëjnë zyrtarë nga pozitat më të thjeshta e deri tek ato qeveritare.

Një keqpërdorim i këtillë është vënë re edhe nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun në Komunën e Obiliqit.

Kohë më parë kryetari i kësaj komune, Xhafer Gashi, njoftoi se ka dhënë dorëheqje nga të gjitha funksionet në AAK, parti në të cilën qëndroi për një kohë të gjatë dhe përmes së cilës e fitoi edhe pozitën e kryetarit të Komunës për dy mandate.

Nuk kaloi shumë kohë dhe Gashi njoftoi se ka themeluar një Iniciativë Qytetare për Obiliqin.

E për promovimin e kësaj Iniciative u kujdes Zyra për Informim e Komunës së Obiliqit.

Nga kjo Zyrë, më 29 mars, mediave iu dërgua njoftimi për themelimin e Iniciativës Qytetare për Obiliqin me kryetar Xhafer Gashin.

“Themelohet Iniciativa Qytetare për Obiliqin, Gashi: ‘Iniciativa do të jetë adresa e re, e cila është e hapur për të gjithë qytetarët e Obiliqit’”, thuhej në e-mailin e datës 29 mars dërguar mediave nga zyrtarë për informim të Komunës së Obiliqit.

Aty ishte bashkëngjitur edhe statusi i plotë i Gashit i postuar në “Facebook”, ku ai kishte prezantuar Iniciativën e tij Qytetare.

Po ashtu disa ditë më vonë, më saktësisht më 3 prill, sërish vjen një njoftim nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun e Komunës së Obiliqit, por që sërish kishte të bënte me Iniciativën e kryetarit Gashi.

“Iniciativa Qytetare për Obiliqin ka filluar konstituimin e kryesive të degëve”, ishte titulli i e-mailit të datës 3 prill, ku jepeshin detaje mbi konstituimin e degëve të kësaj iniciative.

“Zëri” ka kontaktuar Zyrën për Marrëdhënie me Publikun të kësaj komune, nga e cila kanë thënë se ka qenë gabim teknik dërgimi i e-mailit.

“Po, e kemi parë e-mailin që e kemi dërguar nga e-maili i Komunës, ka qenë gabim teknik”, kanë deklaruar për “Zërin” nga kjo zyrë.

I kontaktuar nga “Zëri”, Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, potencoi se e-maili zyrtar nuk mund të përdoret për punë private ose punë që dalin jashtë funksionit zyrtar.

“E-maili zyrtar duhet të përdoret vetëm për përdorim zyrtar dhe nuk duhet të keqpërdoret për punë private ose punë që dalin jashtë funksionit zyrtar”, deklaroi ai.

Miftaraj theksoi se kjo është shkelje dhe potencoi disa nga masat, të cilat mund të merren.

“Varësisht nga shkelja, edhe masat ndaj zyrtarëve publikë mund të iniciohen nga personat kompetentë, duke filluar prej shqiptimit të vërejtjeve me gojë, shkrim ose edhe inicim të procedurave disiplinore”.

“Cëdo rast është individual dhe edhe shkelja potenciale disiplinore, prandaj duhet të trajtohet rast për rast. Integriteti i cëdo institucioni publik duhet të mbrohet dhe promovohet nga ana e zyrtarëve publikë dhe assesi të keqpërdoret për interesa personale”, përfundoi drejtori ekzekutiv i IKD-së, Ehat Miftaraj.

Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar, sipas Kodit Penal të Kosovës

Në Kodin Penal të Kosovës janë paraparë masat ndaj personave që bëjnë këtë shkelje.

1. Personi zyrtar, i cili duke shfrytëzuar detyrën ose autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij ose nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim që të përfitojë cëfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër ose që t’i shkaktojë dëm personit tjetër, ose që t’i shkelë të drejtat e personit tjetër, dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vjet.

2. Personi zyrtar, që e kryen veprën penale nga paragrafi 1 i këtij neni dhe përfitimi ose dëmi e tejkalon shumën prej pesëmijë (5000) eurove, dënohet me gjobë dhe burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vjet.

3. Për qëllime të këtij neni, shpërdorimi i detyrës zyrtare përfshin, por nuk kufizohet në:

3.1. Shkeljen me dashje ose me dijeni të ligjit lidhur me detyrat ose punësimin e zyrtarit;

3.2. Moskryerja me dashje e ndonjë detyre të domosdoshme të përcaktuar me ligj;

3.3. Pranimi i dhuratës, tarifës ose përparësisë së cëfarëdo lloji si rezultat i kryerjes së detyrës zyrtare, përvecë nëse pranimi i dhuratës, tarifës ose përparësisë lejohet me ligj;

3.4. Keqpërdorimi i pasurisë, shërbimeve ose personelit qeveritar ose i ndonjë sendit tjetër me vlerë që i përket qeverisë e që ka rënë në kujdesin ose posedimin e zyrtarit si rezultat i detyrës ose punës së tij;

3.5. Nënshtrimi me dashje i personit tjetër në keqtrajtim ose arrest, ndalim, kontroll, marrje, heqje, vlerësim ose barrë për të cilën e di se është e kundërligjshme; ose

3.6. Ndalimi ose pengimi me dashje i tjetrit në ushtrimin ose gëzimin e ndonjë të drejte, privilegji, pushteti ose imuniteti ligjor. /Zëri/