Oda e Mjekëve ndan mirënjohje përkujtimore për mjekët që kanë vdekur gjatë vitit 2020

Oda e Mjekëve ndan mirënjohje përkujtimore për mjekët që kanë vdekur gjatë vitit 2020

Aktuale March 09, 2021 - 10:46

Oda e Mjekëve ka bërë ndarjen e mirënjohjeve përkujtimore për mjekët që janë ndarë nga jeta gjatë vitit 2020 dhe institucionet shëndetësore mbështetëse të rajonit të Prishtinës për kontributin e dhënë në luftën kundër pandemisë.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, tha se e kanë detyrim që të kujtojnë kontributin e kolegëve që humbën jetën, sidomos atyre gjatë pandemisë.

“Ndoshta nuk është çdoherë në tubimet tona për të përkujtuar vetëm sukseset, avancimet e kolegëve tanë, por ja që jeta ka edhe medaljen tjetër, ku ne humbim kolegët tanë, pjesë të ekipeve tona që janë pjesë e kujtimeve tona. Viti i kaluar ka qenë i rëndë në veçanti për komunitetin tonë të mjekëve, që përveç humbjeve të shumta, kemi në radhët tona si pjesë e jetës së zakonshme që edhe jeta e vdekja janë pjesë e saj na është shtuar edhe mortja e madhe që po ndodh anembanë botës. Kemi për detyrim që si Odë e Mjekëve të kujtojmë ata të cilët ishin pjesë jona e punës sonë për t’i shërbyer popullatës. Duke u bazuar në rregulloren për dekorata e medalje të Odës, komisioni gjegjës ka marrë vendim që kolegët tanë që ndërruan jetë gjatë vitit 2020 të nderohen me medaljen ‘Nderi i mjekut’”.

Drejtori i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, tha se nuk ka ndarje më të mirë nga jeta sesa kur momentet e fundit njeriu i kalon duke i shërbyer të tjetër, raporton EO-ja.

Ai ka konsideruar sfidë përballjen me pandeminë, por që tha se me punën e palodhshme të mjekëve do të menaxhohet kjo situatë.

“Jeta na ka mësuar që të jemi bashkë në momente festive e të vështira. Ne si popull e si sistem po kalojmë një fazë të vështirë e jashtëzakonisht sfidues për zyrtarët shëndetësorë për të qëndruar në front përballë kësaj të keqeje që na ka goditur. Sot ju them që ju duhet të jeni krenarë me familjarët e huaj që i patët me punën dhe veprën që kanë bërë. Nuk ka ndarje më të mirë nga jeta se sa kur momentet e fundit njeriu i kalon duke i shërbyer të tjetër. Po rezervohem të përmend emra, por disa i kam njohur për së afërmi, më kujtohet fjalët e fundit të doktor Sami Gjokës. Jetoni me veprat dhe kujtimet e mira që i keni dhënë sistemit shëndetësor me familjarët tuaj. E di që shumica nga ata që nuk janë në mesin tonë janë bërë me kilometra për tu shkolluar. Ne po kritikohemi nganjëherë, por unë them me bindje se punëtorët shëndetësor e kanë dhënë provim vet, por edhe kanë sakrifikuar familjet e tyre. Ju bëjë thirrje të lartësoni punën që kanë bërë ata që sot nuk janë në mesin tonë. Ky solidaritet duhet të vazhdojë nga Oda. Të mbahet gjallë kjo frymë”.

Familja e doktor Abaz Krasniqit, Adem Limanit, Bedri Sadriut, Bedri Zahitit e Gjon Gjidodës ishin disa nga ta, që morën dekorata.