Mblidhet Qeveria, këto janë vendimet që u morën

Mblidhet Qeveria, këto janë vendimet që u morën

Aktuale March 09, 2021 - 10:41

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri në detyrë Avdullah Hoti, në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka mbajtur mbledhje korresponduese/elektronike, e 68-ta me radhë, në të cilën ka miratuar vendime dhe dokumente të tjera sipas përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin, me të cilin ka obliguar të gjitha institucionet publike në Republikën e Kosovës që të bashkërendojnë aktivitetet e tyre me Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit në Ministrinë e Punëve të Brendshme (ASHI/MPB), për zhvillimin e sistemeve elektronike dhe integrimin e tyre në infrastrukturën dhe platformat qendrore të sistemeve të informacionit në pajtim me legjislacionin në fuqi.

Me këtë rast obligohet ASHI/MPB-ja të paraqesë për miratim në Qeveri draftin e Strategjisë së Qeverisjes Elektronike brenda tre (3) muajve, si dhe Policia e Kosovës që të rrisë kapacitetet hetuese për parandalimin e sulmeve kibernetike në bashkëpunim me institucionet relevante vendore dhe ndërkombëtare.

Në mbledhjen e sotme është miratuar vendimi për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme ish-shoqërore, të cilat janë të nevojshme për realizimin e projekteve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) për:

- Ndërtimi i objektit të ri të Gjykatës Themelore në Pejë, komuna Pejë.

- Ndërtimi i objektit të ri të Gjykatës Themelore në Prizren, komuna Prizren.

- Renovimi dhe ndërtimi i ish-objektit të filialit të “Jugobankës” në Mitrovicë, për nevoja të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, komuna Mitrovicë.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronave të paluajtshme:

- Në Zonën Kadastrale Bresallc, komuna Gjilan, e cila preket nga ndërtimi i autostradës Prishtinë – Gjilan - Dheu i Bardhë;

- Në Zonën Kadastrale Balincë, komuna e Malishevës, e cila preket nga ndërtimi i Rrugës Nacionale N9, Prishtinë - Pejë dhe;

- Në Zonën Kadastrale Milloshevë, komuna e Obiliqit, e cila preket nga ndërtimi i Rrugës Nacionale N2 Prishtinë - Mitrovicë.

Në vazhdim të mbledhjes kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për anulimin, ndryshimin dhe plotësimin e pjesërishëm të Vendimit Përfundimtar Nr. 12/71, datë 23.10.2018, me të cilin janë miratuar shpronësimet e pronave, të cilat preken nga ndërtimi i autostradës Prishtinë – Gjilan - Dheu i Bardhë, Segmenti Banullë – Bresallc, që prek komunat Lipjan (Zonat Kadastrale Banullë, Sllovi, Smallushë), Novobërdë (Zona Kadastrale, Parallovë) dhe Gjilan (zonat kadastrale Bresalc, Ponesh dhe Zhegovc).

Qeveria ka miratuar vendimin përfundimtar për shpronësimin për interes publik të objekteve, të cilat menaxhohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), të cilat preken nga realizimi i projekteve: ndërtimi i parkut, që do të shërbejë për amfiteatrin e fshatit Mushtisht dhe ndërtimi i çerdhes së fëmijëve dhe këndi për të moshuarit, në fshatin Studençan, komuna e Suharekës.

Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marrë edhe vendimi për themelimin e ndërmarrjes publike lokale “Kastrioti” SHA, Obiliq, me 100% të aksioneve nga Komuna e Obiliqit. Me këtë vendim Komuna e Obiliqit autorizohet që të veprojë në emër të aksionarit të vetëm në NPL “Kastrioti” SHA dhe të ndërmarrë të gjitha veprimet e ligjshme, duke përfshirë regjistrimin sipas Ligjit nr. 02/L-016 për Shoqëritë Tregtare.

Qeveria e Kosovës po ashtu ka miratuar vendimin, me të cilin obligohet Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA) që në bashkëpunim me ndërmarrjet publike qendrore të përgatisë dhe të raportojë në Thesarin e Kosovës (MF) të dhënat e plota, me kohë dhe të sakta, për huamarrjet e brendshme dhe ndërkombëtare të Ndërmarrjeve Publike Qendrore. Ky raportim duhet të bëhet në baza tremujore, jo më larg se 15 ditë pas përfundimit të çdo tremujori. /Zëri